Ka dështuar sërish konstituimi i Komisionit Hetimor për rezerva, për shkak të mungesës të kuorumit. Kjo për shkak se nuk ishin të pranishëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Opozita thotë se pushteti po fsheh diçka që nuk po vjen, dhe se nuk ka ndodhur asnjëherë në praktikën parlamentare që pas votimit në Kuvend, Komisioni të mos konstituohet në mbledhje. Komisioni dështoi dy herë edhe të mërkurën e kaluar.

Kryesuesi Rashit Qalaj tha se ky Komision duhe tw konstituohet, duke paralajmëruar sërish mbledhje.

“Është edhe një tentativë që hera tretë që po i presim kolegët në pushtet, por sërish po mungojnë. Gjithmonë po themi se është i nevojshëm për shkak të dyshimeve të keqpërdorimit të rezervave shtetërore dhe pikërisht që të zbardhim të vërtetën po bëjmë përpjekje për të konstituar këtë Komision. Ne do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të konstituar këtë Komision. Takimi i radhës të jetë të premten, të hënën dhe të martën”.

Zv.kryesuesja e Komisionit Valentina Bunjaku, tha se janë të papranueshme veprimet e pozitës. Madje sipas saj, pozita po e dëshmohet se nuk janë të interesuar që t’i qojnë keqpërdoruesit në burg.

“Është e papranueshme nga ana e pozitës. Ata kanë kundërshtuar këtë dhe e dinë arsyen, nuk janë të interesuar të qojnë hajnat në burg, në pozitë po bashkëpunojnë me ta. S’kemi tjetër derë përveç të bashkëpunojmë me medie”.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili tha se për herë të tretë ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimore për rezervat shtetërore.

Sipa saj, VV po e bojkoton këtë Komision dhe se arsyeja dihet.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se partia në pushtet po e pengon konstituimin e këtij Komisioni.

“Ata janë pengesë dhe po shihet se këtu po fshihet, asnjëherë në praktikat parlamentare pas votimit në parlament nuk ka ndodhë që të pengohet konstituimi i Komisionit”.

Ky Komision do të hetojë procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Iniciuesi i këtij komisioni, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, gjatë seancës së fundit ka thënë se duhet të zbardhen të gjitha dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore nga ana e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Në skandalin me furnizimin me rezerva shtetërore dyshohet se janë të përfshirë ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, pronari i “Buke e Zemër”, Ridvan Muharremi dhe disa zyrtarë të tjerë.

Në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore, policia pati arrestuar Ridvan Muharremin dhe dy zyrtarë të tjerë.

/TV Malisheva

Share.