Në mungesë kuorumi ka dështuar shqyrtimi i peticionit të Sindikatës së Policisë së Kosovës. Ky dështim erdhi si rezultat i mungesës së deputetëve të mazhorancës të cilët nuk morën pjesë në mbledhjen e këtij Komisioni.
Pavarësisht kësaj, kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, vendosi që pavarësisht mungesës se kuorumit t’i dëgjojnë përfaqësuesit e Sindikatës sё Policisë sё Kosovës në lidhje me arsyet e organizimit të këtij peticioni.
Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës para deputetëve të pranishëm ka listuar kërkesat e renditura në peticion, duke theksuar nevojën për sigurime shëndetësore dhe shtesat për rrezikshmëri.
Avni Hoti, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës tha se përfaqëson të gjithë kolegët e tij dhe se kërkesat e tyre janë të arsyeshme.
“Dy ngjarjet e djeshit, njëra në parlament e tjetra në konferencë për shtyp, më kanë shty me ardh këtu sot, dy tabore që luftojnë njëra tjetrën. Luftën kryesore, kauzën kryesore e kanë Policinë e Kosovës, këta njerëz qe sa vjet pas lufte nuk i zgjodhën problemet e policëve, as pozita e as opozita”.
“Ju kisha lutë mos e boni kauzë Policinë e Kosovës. Nuk kemi tjetër partner social përveç Qeverisë së Kosovës. Me disa gjana po na dëmtoni, mos na përdorni. Lutje publike nga gjithë policët e Kosovës zgjidhni problemet tona”, tha ai.
“Kur një polic i Kosovës është gjetur i vrarë ,në gjep i ka pas vetëm 1.70 cent, të gjithë janë në kredi, në gjysmë të muajit ata nuk e kanë asnjë cent në llogari, me paga të vogla, pa shujta, pa shtesa të rrezikshmërisë e pa sigurime shëndetësore”, tha ai.
/TV Malisheva