Lufta në Ukrainë, e cila ka nisur me pushtimin rus të këtij vendi më 24 shkurt, do të ndikojë në ndryshimin e qasjes së Perëndimit ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, shqiptarë dhe serbë, Agon Maliqi dhe Ognjen Gogiq.
Megjithatë, sipas tyre, mënyra e qasjes së Perëndimit ndaj dialogut Kosovë-Serbi dhe orientimi i kësaj qasjeje do të varen nga epilogu i zhvillimeve në Ukrainë.
Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
Ata shprehin mendimin se është herët të flitet se çfarë do të jetë ky epilog dhe përderisa të zgjasë kjo luftë, siç vlerësojnë ata, fokusi i Perëndimit do të jetë te menaxhimi i situatës së sigurisë, përfshirë edhe në Ballkanin Perëndimor.
Rrjedhimisht, siç thonë ata, tash për tash nuk pritet ndonjë energji e fokusuar e Perëndimit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë vizitës në Prishtinë, më 10 mars, kur është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet në Bruksel përmes Bashkimit Evropian.
Të njëjtën porosi ajo e ka përsëritur edhe më 11 mars, gjatë vizitës në Beograd, ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Ne kemi nevojë për progres të dukshëm në dialog, në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Baerbock.
Maliqi: Perëndimi pret pozicionimin e mundshëm të Serbisë
Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, njëherësh bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson se qasja e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj dialogut Kosovë-Serbi do të varet nga natyra e epilogut të luftës në Ukrainë, nga suksesi ose jo i Rusisë në këtë luftë.
Ai vlerëson se në rast se Rusia vendos kontrollin mbi Ukrainën për kohë të gjatë, atëherë Ballkani Perëndimor mbetet zonë e alarmit të sigurisë për Perëndimin.
Zëvendësndihmës – Sekretari i Shtetit i SHBA-së dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak .
Në të kundërtën, në rast të tërheqjes eventuale të Rusisë nga Ukraina, atëherë pesha dhe fuqia e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor do të bie dhe mund të pasojë një dinamikë e integrimeve të vendeve të rajonit, gjë që e hap potencialin për dialogun Kosovë-Serbi.
“Gjithçka në këtë moment mbetet spekulative. Por, ajo që është e qartë nga porositë e ministres së Jashtme gjermane (Annalena Baerbock), por edhe nga porositë që kanë ardhur nga SHBA-ja, konkretisht nga Victoria Nuland, Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Politike, si dhe nga zonja Karen Donfries, Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Evropë, tregojnë që ka një përpjekje ose një pritje për pozicionimin e mundshëm të Serbisë në rrethanat e reja. Pastaj, prej atij momenti, raporti i Serbisë ndaj Perëndimit mund të jetë mbase edhe përcaktues mbi fatin e dialogut”, tha Maliqi.
Gogiq: Të gjithë skenarët janë të mundshëm
Politologu Ognjen Gogiq, thotë se situata aktuale në Ukrainë dhe një epilogu i mundshëm atje, çfarëdo qoftë ai, do të ndikojë në qasjen e Perëndimit dhe në veçanti të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas tij, mund të parashihen skenarë të ndryshëm logjikë.
“Ajo me të cilën Bashkimi Evropian ka problem, është fakti që Serbia është vendi i vetëm këtu që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë dhe tash Serbia i është nënshtruar presionit për këtë. Por, në anën tjetër, Bashkimi Evropian nuk mund të jetë tepër i ashpër me presionin, në mënyrë që të mos rrezikojë që ta humbë tërësisht Serbinë. Në këtë situatë, të gjithë skenarët janë të mundshëm. Nga ana e saj, BE-ja mund të insistojë që sa më shpejt të arrihet marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe mbase edhe të NATO-s. Por, nëse hasin në rezistencë të lojtarëve lokalë, nuk do të mund bëjnë shumë presion, pikërisht për shkak që Serbia të mos largohet edhe më shumë”, tha Gogiq.
“Sfida për Kosovën dhe pozicionin e saj të ngurtë”
Agon Maliqi, vlerëson se cilido qoftë epilogu i luftës në Ukrainë, në parim, forca dhe mundësia e kushtëzimit nga ana e Serbisë ndaj Perëndimit dobësohet dhe shantazhi se Serbia do të kthehet drejt Rusisë, si alternativë e BE-së, do ta humbë peshën.
Në këtë kontekst, sipas tij, fuqia ndikuese e Perëndimit mbi Serbinë rritet, gjë që do të jetë pozitive për vetë Serbinë, por edhe për rajonin.
Maliqi thekson që kjo do të paraqiste një mundësi për Kosovën, që të përmbyllë procesin e dialogut, por edhe sfidë për të, në kontekstin ku Perëndimi mund të ketë më shumë mirëkuptim për pozicionin e Serbisë dhe vështirësitë e brendshme politike të saj.
“Prandaj, në parim, e shoh kthimin e mundshëm të Serbisë drejt Perëndimit si pozitiv për rajonin, por edhe për Kosovën. Por, jo edhe pa sfida për Kosovën, në rast ajo mbetet në pozicionin e tashëm, të ngurtë dhe me momente madje edhe të konfrontimit me Perëndimin”, tha Maliqi.
“Vuçiq nuk do të rrezikojë”
Politologu Gogiq, shpreh mendimin se për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, aktualisht ekziston një “grejs-periudhë” deri në përfundimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, të cilat mbahen me 3 prill në Serbi.
Ky sipas tij është një shërbim që i bëhet atij nga BE-ja si shenjë e mirëkuptimit, për shkak se në Serbi ekzistojnë grupe të djathta ekstreme, të cilat kanë orientim pro-rus. Pas zgjedhjeve, siç thotë ai, BE-ja do të presë nga Vuçiq që të jetë më i ashpër në qëndrimet e tij ndaj Rusisë.
Por, Gogiq vlerëson që edhe pas zgjedhjeve në Serbi, Vuçiq nuk do të ndryshojë qëndrimin e deritashëm dhe do të vazhdojë politikën “e uljes në dy karrige”, ndërkaq Perëndimi nuk do të reagojë ashpër nga frika që Serbia të mos rrëshqet drejt orientimit të tërësishëm kah Rusia.
Edhe kjo situatë, sipas tij, mund të ndikojë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Mendoj që dialogu nuk i ofrohet arritjes së marrëveshjes. Në Serbi ekziston simpatia për (presidentin rus, Vladimir) Putin dhe politikat e tij. Nuk e di se sa janë ato grupe të fuqishme, por ato grupe që janë pro-ruse ose pro-Putinit, do ta kritikonin presidentin Vuçiq në qoftë se do të bënte lëshime ndaj Kosovës. Mendoj se do të ballafaqohej me opozitën e fuqishme të djathtë në Serbi, kështu që nuk besoj se ai është i prirë që të rrezikojë, madje as pas zgjedhjeve”, tha Gogiq.
Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka ndodhur më 22 shkurt, ku kryenegociatorët e çështjeve teknike, Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq i Serbisë, kanë zhvilluar takime dypalëshe me zyrtarët e BE-së, por nuk ka pasur takim të përbashkët midis tyre.
Rundi i ri i bisedimeve të 22 shkurtit u zhvillua pas një kohe relativisht të gjatë pa takime, me përjashtim të atyre të ekspertëve për çështjen e targave të veturave.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011./REL
/TV Malisheva