Prokurorët e Hagës kanë filluar edhe zyrtarisht hetimet kundër Rusisë për krime lufte në Ukrainë. Prokurori kryesor, Karim Khan, që do të kryej hetimet bashkë me ekipin e tij janë nisur drejt Ukrainës për të parë nga afër vendin e ngjarjes, shkruan The Guardian.

“Dje kam krijuar ekipin tim dhe sot jemi duke lëvizur drejt rajonit”, ka thënë Khan duke shpjeguar se është një ekip i avancuar prej prokurorësh dhe avokatësh.

Khan i cili është avokat britanik ka thënë se zyra e tij do te kryejë hetime për krime të mundshme të luftës , krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Më herët Khan kishte qenë edhe avokat i Fatmir Limajt kur ky i fundit ishte përballur me Gjykatën e EULEX-it në Kosovë nga viti 2014 deri në vitin 2017.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka filluar hetimet pasi Ukraina edhe zyrtarisht ka deponuar kërkesën për hetime kundër Rusisë për krime lufte.

Zyrtarët Ukrainës në vazhdimësi kanë reaguar pasi Rusia s’ka kursyer nga bombardimet as civilët. Qindra civilë kanë mbetur të vdekur si rezultat i raketave ruse të cilat kanë goditur ndërtesa banimi, derisa mijëra ukrainas janë detyruar të largohen nga vendi si rezultat i barbarisë së Vladimir Putinit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskey, pas sulmit me raketë në qendër të qytetit Kharkiv, ditë më parë, ka thënë se një pamje e tillë tregon se Rusia është një shtet kriminal dhe se një gjë të tillë as nuk do ta harrojnë e as nuk do t’ia falin Vladimir Putinit.

Ndërkohë, të dy vendet, Ukraina dhe Rusia janë duke zhvilluar takime lidhur me situatën e krijuar. Pala ukrainase kërkon që menjëherë të fillojë armëpushimi nga Rusia, megjithatë në këto raunde bisedimesh thuhet se ka shumë pak përparim.

Bota demokratike në vazhdimësi është duke kërkuar ndaljen e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe ka vendosur sanksione të rrepta kundër Putinit, Rusisë dhe ekonomisë ruse.

/TV Malisheva

Share.