Një ditë më parë krerë evropianë dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell kanë takuar ndaras kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në përpjekje për tu pajtuar lidhur me dokumentin e propozuar për zbatimin e marrëveshjes së Bazë e që përmbante edhe një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në këtë takim të pranishëm ishin kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Mishel.
Kryeministri Albin Kurti pas takimit me liderët evropianë në Bruksel, ka thënë se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjeve me Serbinë, e cila garanton zbatimin e tyre, që përfshinë edhe draftin evropian për Asociacionin.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023.
Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë.
“Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponsorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin”, shtoi ai.
Grupi paramilitar terrorist i Millan Radoiçiqit dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë dhe fer, aq më tepër kur dihet se sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe proceset gjyqësore monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX.
Për progresin demokratik dhe ekonomik të saj, Kurti tha që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE, pra edhe bashkimin e pesë shteteve të mbetura të Bashkimit Evropian me shumicën prej 22 sosh, në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ndërkaq siguria e kufijve për Kosovën, bashkë me sigurinë kolektive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ngritën cilësisht nëpërmjet Marrëveshjes për Partneritet për Paqe me NATO-n drejt anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike. Në fund të takimit, Kryeministri Kurti tha se pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar para mediave se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Ai tha se megjithatë janë të gatshëm të pranojnë propozimin për Asociacionin.
Vuçiq tha se propozimi që ka marrë nga të dërguarit perëndimorë, i referohet ekskluzivisht formimit të Asociacionit, por se nuk mund të flasë për detajet, sepse marrëveshja është e tillë që të mos flitet.
“Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë”, u tha ai gazetarëve.
Por, theksoi Vuçiq, Serbia “nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo Pavarësinë e Kosovës” – hapa që, në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë.
“Serbia ka thënë qartë se dëshiron që të gjitha marrëveshjet të zbatohen, nga ajo bazë e vitit 2013 e deri te ato më vonë në Bruksel dhe Ohër, dhe ne gjithmonë kemi theksuar vetëm një gjë, e cila dihet – ajo është se Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin në OKB dhe as pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.
“Nuk u bë fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrim të ndonjë gjëje”, por “për zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë”, tha presidenti serb.
Ai shtoi se askush në takime nuk i ka përmendur “sanksionet kundër Serbisë”, që do të lidheshin me sulmin në Banjskë.
E pas përfundimit të të gjitha takimeve, Josep Borrell përmes një video-adresim theksoi se Kosova dhe Serbia nuk qenë të gatshme të pajtohen me njëra tjetrën në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Borrell, tha se janë shumë të shqetësuar për ngërçin në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se sulmet e fundit terroriste të 24 shtatorit janë dënuar sërish nga Bashkimi Evropian në takimet që kanë pasur me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, e vetmja rrugë për të ecur përpara është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Për këtë normalizim ekziston një pengesë e madhe e ai është Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.
Borrell thotë se për të kaluar këtë pengesë, palëve u është bërë një propozim evropian për themelimin e Asociacionit i cili sipas tij është “shumë serioz dhe i balancuar”.
“Për t’i nxitur palët që të arrijnë një marrëveshje ne së bashku paraqitëm një propozim evropian serioz e të balancuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ngulëm këmbë që palët të shfrytëzojnë këtë mundësi, që do të ishte një hap i madh përpara për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të shmangur episode të tjera dhune”.
“Për fat të keq palët nuk qenë të gatshme të pajtohen për këtë pa parakushte, që ishin të papranueshme për palën tjetër”, tha ai duke nënvizuar se përpjekjet do të vazhdojnë por pa dhënë ndonjë njoftim se kur mund të vazhdojnë bisedimet”, ka deklaruar tutje Borrell.
Ndryshe, më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë në Prishtinë e Beograd u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe, siç thanë zyrtarët në Bruksel, “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.
Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet. Kurti tha se edhe atëkohë ka qenë i gatshëm të nënshkruajë.
/TV Malisheva