Data 21 qershor është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Jogës nga Kombet e Bashkuara, më 11 dhjetor 2014 me anë të Rezolutës 69/131, duke njohur vlerat e saj universale.
Ajo ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e popullsisë së globit në lidhje me përfitimet e praktikimit të Jogës.
Joga është një praktikë e lashtë fizike, mendore dhe shpirtërore që e ka origjinën nga India.
Fjala “Joga” rrjedh nga një gjuhë e lashtë si sanskritja, dhe kuptimi i saj është të lidhësh/bashkosh, që simbolizon bashkimin e trupit dhe ndërgjegjes.
Sot kemi forma të ndryshme të praktikimit të Jogës në gjithë botën, dhe popullariteti i kësaj praktike është në rritje.
Përfitimet fizike
Teknikat e relaksimit, të cilat janë pjesë e praktikimit të Jogës, mund të lehtësojnë dhimbjet kronike, si dhimbja e shpinës, artriti, dhimbjet e kokës, si dhe sindromën “Tuneli Carpal”. Gjithashtu, Joga mund të ulë presionin e lartë të gjakut dhe të përmirësojë problemet e gjumit.
Përfitimet e tjera fizike përfshijnë:
Elasticitet më të mirë
Tonifikim të muskujve dhe rritje të masës muskulore
Përmirësim të frymëmarrjes, energjive dhe vitalitetit
Ruajtje të balancës metabolike
Rënie në peshë
Përmirësim të qarkullimit të gjakut dhe shëndetit kardiovaskular
Përmirësim të performancës fizike/atletike
Mbrojtje nga dëmtimet fizike
Përfitimet mendore
Përveç përfitimeve fizike, një nga përfitimet më të mira të Joga-s është se ndihmon personin që të menaxhojë stresin, i cili ka pasoja të dëmshme për trupin dhe mendjen. Stresi mund të shfaqet në shumë mënyra, duke përfshirë dhimbje të shpinës ose të qafës, probleme të gjumit, dhimbje koke, abuzime me drogën dhe një paaftësi për t’u përqendruar. Joga mund të jetë shumë efektive në zhvillimin e aftësive përballuese dhe në arritjen e realizimit të një këndvështrimi më pozitiv të jetës.
Përfshirja në Joga e meditimit dhe ushtrimeve të frymëmarrjeve mund të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies mendore të individit. Praktikimi në mënyrë të rregullt i Joga-s krijon qartësi mendore dhe qetësi; rrit vetëdijen ndaj trupit; lehtëson dhimbjet kronike; qetëson mendjen; rrit përqendrimin; ndihmon në identifikimin e hershëm të problemeve fizike dhe mundëson parandalimin nëpërmjet veprimeve paraprake.
8 arsye përse duhet të praktikoni Joga-n :
Redukton stresin dhe përmirëson humorin
Përmirëson vetëbesimin
Minimizon mundësitë për dëmtime
Ndihmon rënien në peshë
Rrit elasticitetin
Përmirëson tonifikimin dhe fuqizimin e muskujve
Përmirëson frymëmarrjen dhe presionin e gjakut
Përmirëson qëndrimin drejt të trupit
/TV Malisheva