Djali i Jamal Khashoggit, gazetarit saudit, i cili u vra brenda një konsullate saudite në vitin 2018, ka thënë se ai dhe vëllezërit e tij i kanë falur vrasësit e babait të tij.
Përmes një postimi në Twitter më 22 maj, Salah Khashoggi tha se familja e tij po i falte përgjegjësit për vdekjen e babait të tij. Falja, sipas tij, bëhet si pjesë e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit. Jamal Khashoggi, një kritik i qeverisë saudite, u vra në konsullatën saudite në Stamboll në tetor të vitit 2018.
Ai ishte analist i gazetës amerikane Washington Post. Zyrtarët sauditë kishin thënë se vdekja e tij ishte rezultat i një “operacioni mashtrues” dhe nuk ishte organizuar nga shteti. Por, autoritetet më vonë ndryshuan deklarimin e tyre dhe thanë që Khashoggi ishte vrarë në një operacion të fshehtë nga një ekip që kishte shkuar ta rrëmbente atë dhe ta sillte në Arabinë Saudite.
Dhjetorin e kaluar, një gjykatë saudite dënoi me vdekje pesë persona, për rolin e tyre në vrasjen e tij. Megjithatë, një hetues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për një hetim të pavarur të rastit./ Tv Malisheva