Pandemia ka bërë që shumë aktivitete kulturore të ndërpriten dhe të pezullohen. Por, dy festivalet e filmave në Kosovë, ai i filmit dokumentar DokuFest dhe festivali i filmit të animuar AniBar sivjet do t’i qëndrojnë publikut të tyre afër nëpërmes platformave online.
Festivali i filmit dokumentar DokuFest sivjet në edicionin e tij të 19-të po mbahet për herë të parë online. Ky festival nisi më 7 gusht dhe do të zgjasë deri më 25 gusht.
Drejtori i DokuFest, Veton Nurkollari se kalimi i komplet një festivali në sferën virtuale për të ishte një “eksperiment i çuditshëm”.
“Është edhe sfidë edhe një eksperiment i çuditshëm, që ta çojmë komplet një festival në sferën virtuale. Sado që jam me njëfarë nostalgjie për edicionet e kaluara të festivalit ashtu siç jemi mësuar. Në anën tjetër, jam në të njëjtin moment edhe i ekzaltuar të shoh se çka në fakt do të sjellë ky ndryshim i madh, kalimi në sferën virtuale,” u shpreh Nurkollari.
Por, sipas Nurkollarit kalimi në sferën virtuale kishte edhe përparësitë e tij për shkak se ueb-faqja në të cilin njerëzit mund të shikojnë filmat, do të jetë e qasshme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi.
“Sado që na ka tingëlluar krejt në fillim si një pengesë e madhe, në anën tjetër kemi vërejtur edhe disa përparësi. Kështu që në vend se si jemi mësuar me shumë njerëz që vijnë në Prizren, tash në fakt do të jemi të shtirë jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në Prizren, por edhe në Shqipëri edhe një pjesë të Ballkanit, kështu që potencialisht i kemi me siguri 10 milionë njerëz që mund të qasen në filma, panele, debate, pjesës të muzikës virtuale dhe krejt asaj që e kemi përgatitur,” thotë ndër të tjera Nurkollari./Tv Malisheva