Donacionet nga Serbia janë bërë “mollë” sherri në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Me akuza dhe kundër akuza është përcjell pranimi i 1000 testeve nga Serbia për Covid 19. Aty deputetët e PDK-së dhe AAK-së kanë vazhduar kritikat ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Por në krah të këtij të fundit ka a dal kryeparlamentarja, Vjosa Osmani. Ajo tha se donacionet nga Serbia nuk kanë arsyetim, por të tillat janë pranuar qysh nga viti 2016 me dhjetëra miliona euro.
Ish-ministri, tashmë deputeti i PDK-së, Uran Ismaili tha se kryeparlamentarja Osmani me këtë qasje është duke promovuar shkeljen e ligjit. Ai tha se donacionet e kaluara kanë ardhur në bazë të ligjeve të Kosovës, kurse këto të fundit sipas tij i kanë pruar njerëzit e Gjuriqit duke i kontrabanduar.
Ismaili-Osmanit: Jeni duke promovuar shkeljen e ligjit
“Je duke provuar shkeljen e ligjit. Pra nëse mendon që faktet që i ke nga stafi civil që të kane ardhur, janë për ty të mjaftueshme për mos të verifikuar të vërteten. Por të proklamuar atë në ngritje të argumentit politik. Konsideroj që jeni të një shteg të gabuar. Donacionet që kanë ardhur në Kosovë kanë ardhur bazë ligjeve të Kosovës dhe komisioneve që i kanë paraparë ligjet e Kosovës. Testet që kanë ardhur kanë ardhur në gepek, jo bagazh se s’kanë ardhur nga Shqipëria. Kanë hyrë brenda me njerëz të Gjuriqit. Nuk i ka pritur askush, i kanë çuar në institut të kontrabanduara. Nuk i ka përdorur ai, ky është realiteti i testeve”, tha ai.
E kryetarja e legjislativit, Vjosa Osmani theksoi se marrjen e donacioneve nga Serbia edhe në vitet e kaluara e ka konfirmuar nga sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë.
Osmani: Për mua donacionet nga Serbia nuk kanë arsyetim
“Për mua donacioni nga Serbia nuk ka asnjë arsyetim. As në 2016, as në 2017, as në 2018 as, 2019, as 2020. Unë këtë qëndrim politik nuk e thash. Thjesht iu informova se kjo letër më ka ardhur nga Ministria e Shëndetësisë. Jo nga persona politik, por nga sekretari permanent. Këtë do t’iu bëj të ditur të gjithë deputetëve, se unë e vlerësoj se është në interes të komisionit hetimor të ketë këtë informatë”, tha ajo.
E ashpër në reagimin e saj ndaj deputetit të PDK-së u shpreh, Fitore Pacolli nga Vetëvendosje, e cila i tha Ismailit se nuk mundet të mbulojë dështimin dhe korrupsionin 20-vjeçar të PDK-së në qeverisje.
Pacolli-Ismailit: Nuk mundesh të mbulosh dështimin dhe korrupsionin e qeverisjes 20 vjeçare të PDK-së
“Nuk mundesh as duke ngritur zërin, e as me bërtit këtu në foltore duke ngritur gishtin me tregu dhe të mbulosh dështimin e korrupsionin të qeverisjes së PDK-së për 20 vite. Po ashtu nuk ka nevojë që në këtë kuvend t’i tregojmë qytetarëve se nuk ka dorëza në kohën kur keni qeverisur se këtë e kanë përjetuar në lëkurën e tyre. Po ashtu nuk ka nevojë t’i tregojmë grave shtatzëna që kanë shkuar për të lindur në spital, por në veti është dashur të marrin dorëza, ampulat dhe pajisjet tjera”, tha ajo.
Kundër marrjes së testeve nga Serbia u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri.
Gaxherri: Nuk është dashur të pranohet donacioni nga Serbia
“Fatkeqësisht presidenti i Serbisë është krenuar dhe mburrur me një donacion të cilin nuk ke kemi vënë në funksion. Për ligësinë tonë, të institucioneve të Kosovës që nuk është dashur të pranojmë në atë formë donacionin. Pasi nuk ka hyrë në funksion”, tha ajo.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu theksoi se marrja e atyre testeve nga Serbia është fyerje për Kosovën.
Haxhiu: Shteti është fyer nga marrja e testeve nga Serbia
“Arsyeja edhe fyerja që iu ka bo shtetit me pranimin e këtyre testeve ka qenë pikërisht marrja e testeve nga Serbisë, duke e bërë këtë në arenën ndërkombëtare si shtet humanitar. Pra kjo nuk do të fshihet kurrë, e keni lënë një plagë që nuk do të shërohet. Testet i keni marrë në kontrabandë, pa u kontrolluar nga askush”, tha ajo.
Në fillim të pandemisë Covid-19, ish-Qeveria Kurti ka pranuar 1000 teste si donacion nga Serbia. Kjo është arsyetuar si gjest i vullnetit të mirë në këtë kohë krize, por kjo vazhdimisht është kundërshtuar nga deputetët opozitarë të PDK-së dhe të tjerë./ Tv Malisheva