Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen të dielën në Kosovë (06.10.) garojnë 25 subjekte politike. Mbi 1.9 milion qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote.

25 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur, garojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit që mbahen në Kosovë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 1068 kandidatë nga të gjitha subjektet politike garojnë për 120 vende në parlament. 1,937,868 qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote në këto zgjedhje. Në garë për zgjedhjet e 6 tetorit janë edhe komunitetet pakicë. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pakicave u garantohen 20 vende në parlament, 10 nga të cilat vetëm komunitetit serb të Kosovës.

“Proces elektoral normal”

Mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe mijëra të tjerë nga shoqëria civile i vëzhgojnë këto zgjedhje, rëndësia e të cilave cilësohet shumë e madhe për faktin që qeverinë e ardhshme e pret sfida e madhe e të ardhmes së dialogut me Serbinë. Vëzhguesit e BE-së, u kanë bërë thirrje subjekteve politike që procesi zgjedhor të mbahet në mënyrë të qetë, transparente dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sundimin e së drejtës. “Zgjedhjet janë një prej komponentëve themelorë të demokracisë. Ato janë një mundësi për popullin e Kosovës për ta ushtruar të drejtën demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet”, thuhet në një deklaratë pas një takimi që vëzhguesit e BE-së patën me Presidentin e Kosovës. E ky i fundit thotë se “Kosova po kalon një proces elektoral normal, e që kjo po konfirmon se Kosova ka vënë traditë të zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike, të vlerësuara, si dhe të pranimit të rezultatit të zgjedhjeve”.

Presidenti Thaçi është shprehur i shqetësuar me raportimet e ndryshme për “intimidim të votuesve serbë në veri të Kosovës”, ndërsa, ftoi vëzhguesit që të jenë prezent në veri dhe të raportojnë për çdo gjë që do të vërejnë.

Dialogu dhe taksa 100% – temat dominuese

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, taksa 100% e vendosur për produktet serbe, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ulja e papunësisë dhe perspektiva evropiane e Kosovës, janë temat që kanë mbizotëruar fushatën parazgjedhore që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, që i parapriu zgjedhjeve të parakohshme që mbahen me 6 tetor. Por çfarë pritet nga qeveria që do ta dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit?

Analisti i njohur politik, Rrahman Pacarizi, tha për DW-në, se këto zgjedhje nuk mund të cilësohen zgjedhje historike, por zgjedhje emergjente, të cilat erdhën si pasojë e mungesës së transparencës dhe mungesës së koordinimit për dialogun ndërmjet krerëve të institucioneve të Kosoves. “Në fakt, kalimi në një fazë tjetër të dialogut me Serbinë e gjeti të papërgatitur spektrin politik të Kosovës dhe për pasojë kjo mungesë koherence dhe konsistence e shndërroi mobilizimin për dialog në mobilizim elektoral përgjatë gati dy vitesh të qeverisjes Haradinaj. Besohet se mandati themelor i qeverisë që del nga zgjedhjet e 6 tetorit është dialogu, por kjo varet nga qasja e bashkësisë ndërkombëtare dhe nga ciklet eventuale zgjedhore në Serbi dhe zgjedhjet në SHBA që mund të interferojnë direkt në procesin e përgatitjes së dialogut”, thotë Rrahman Pacarizi.

Dora ndërkombëtare është e paevitueshme

Edhe një analist tjetër, njohës i çështjeve në Ballkan, Naim Rashiti, thotë për DW-në, se sfida kryesore e qeverisë së ardhshme janë divergjencat në krijimin e qeverisë pikërisht në lidhje me dialogun dhe parakushtet për të. “Mendoj se dora ndërkombëtare është e paevitueshme për kompozimin e qeverisë. Pastaj heqja e taksës apo exit strategjia nga kjo bllokadë duke mos humbur asgjë nga dinjiteti nacional, është sfida e radhës pasi disa parti janë betonuar në pozicionet në mbrojtje të taksës. Pastaj sfida madhore është përcaktimi për njërin nga opsionet, korrigjimi i kufirit ose asociacioni, secili më i dhimbshëm dhe më jopopullor sesa tjetri. Unë do të dëshiroja të besoja në kreativitetin e institucioneve të Kosovës për një zgjidhje tjetër, por me nivelin dhe përgjegjësinë aktuale të klasës politike, kjo mbetet vetëm dëshirë”, thotë Naim Rashiti.

nalistët thonë se qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit e ka edhe një sfidë tjetër të brendshme: Ajo duhet të krijojë besimin e të gjithëve se e lufton korrupsionin. Ndërsa pritshmëritë e qytetarëve nga qeveria e re lidhen me angazhimin për zhvillimin e vërtetë ekonomik, arsimor, zhvillimin e shëndetësisë dhe forcimin e institucioneve në zbatimin e ligjit.

Share.