Dorëheqja e Zoran Zaev nga posti i kryeministrit duhet të dorëzohet në Kuvend. Përfundimi i tij nga legjislativi nënkupton rrëzimin e të gjithë kabinetit. Më vonë Kuvendi duhet ta informojë presidentin për situatën e re dhe mungesën e pushtetit ekzekutiv, pas së cilës kreu i shtetit duhet të emërojë një kryeministër të ri.
Neni 90 i Kushtetutës së Maqedonisë Veriore thotë se “Presidenti i shtetit është i obliguar që (brenda 10 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit) t’ia japë mandatin për formimin e Qeverisë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që do të kenë shumicën në Kuvend. Kryeministri i emëruar i paraqet Kuvendit program në afat prej 20 ditësh nga dita e dhënies së mandatit dhe propozon përbërjen e Qeverisë. Qeveria, me propozimin e kryeministrit të mandatuar dhe në bazë të programit, zgjedh Kuvendin me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.”
Nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski thonë se presidenti do të veprojë sipas praktikës së deritanishme.
“Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është njoftuar zyrtarisht nga kryetari i Kuvendit se kryeministri ka dhënë dorëheqje. Pas njoftimit për dorëheqjen eventuale, presidenti brenda dhjetë ditëve pas përfundimit të konsultimeve do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë partisë apo partive që do të kenë shumicën në Kuvend”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.
Përpos që nuk arriti të përfundojë mandatin e dytë si kryeministër, Zaev nuk arriti ta përfundojë edhe mandatin e tretë si lider i LSDM-së.
Dorëheqja e tij vjen vetëm shtatë muaj pas rizgjedhjes së tij në mars. Në zgjedhjet e fundit brenda partiake ka qenë i vetmi kandidat dhe ka marrë mbi 59 mijë vota nga anëtarësia. Sipas statutit të LSDM-së, në afat prej 15 ditësh nga skadimi i mandatit, duhet të shpallen zgjedhjet e parakohshme brenda partiake.
“Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme e merr Bordi Ekzekutiv i partisë, në afat prej 15 ditësh nga përfundimi i mandatit”, thuhet në Statutin e LSDM-së.
Zaev u zgjodh për herë të parë lider i LSDM-së në vitin 2013. Në vitin 2017 ai u rizgjodh për një mandat të dytë dhe katër vjet më vonë në mandatin e tij të tretë si president i Socialdemokratëve./AlsatM /TV Malisheva