Një draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë është publikuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) i cili parashihet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas këtij draft-statuti, i cili ka 7 kapituj e 18 nene, Asociacioni do t’i ketë simbolet e veta zyrtare, përfshirë këtu flamurin dhe stemën.

Duke prezantuar draft-statutin, përfaqësuesi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee, tha se gjatë hartimit të tij, janë kujdesur që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit.

Schlee: Draft-statuti është pikënisje për diskutime

“Jemi shumë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e kësaj dhe sfidat megjithatë jemi angazhuar në këtë drejtim dhe kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ne në palën. Ky publikim duhet të shihet si pikënisje për diskutime me bazë në dëshmi, asgjë më pak dhe asgjë më shumë, pra ky është vetëm starti. Duke pasur parasysh diskutimet që i kemi pasur me partnerët dhe kolegët tanë paraprakisht, është një lloj pragmatizmi politik, kur jemi angazhuar para një viti apo më shumë kemi pasur parasysh se mund të vijmë në kohën kur një statut i draftuar do të jetë i nevojshëm dhe duhet të jetë subjekt i diskutimit publik”, ka thënë ai.

Sipas tij, deri tani nuk ka pasur rezultate në çështjen e Asociacionit se nuk ka pasur propozime konkrete.

Përmes shartimit të këtij drafti ai ka thënë se synojnë lehtësimin e diskutimeve bazuar në propozimin konkret.

Egzon Osmanaj, nga organizata FES, ka thënë se puna rreth këtij drafti është intensifikuar në pjesën e dytë të vitit të kaluar.

Ai ka thënë se një nga pikat kyçe të këtij procesi është marrëveshja e vitit 2013 në Bruksel duke shtuar se edhe marrëveshja e vitit 2015 si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese janë marrë parasysh gjatë hartimit të këtij drafti.

Osmanaj: Draft-statuti është punë e FES dhe EIP, nuk është e porositur

“Gjatë kësaj kohe kemi pasur disa keqinformime ose disa tendenca që me atribu punën tonë dhe me lidhë me disa qoftë faktorë të tjerë, duke thënë se ka qenë e porositur apo që dikush ka qenë i përfshirë në këtë punë por më lejoni të ritheksoj se kjo ka qenë punë ekskluzive i dy organizatave tona dhe qëllimi ka qenë të kontribuojmë disi për me ndihmu proces ne normalizimit të mardhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve…Terminologjia e përdorur përgjatë gjithë draftit është krejtësisht e bazuar në terminologjinë e ekzistuese të kuadrit ligjor dhe kushtetutës së republikës së Kosovës dhe kjo reflektohet edhe në emrin të cilin e kemi titulluar punimin tonë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pjesa më e madhe e procesit është bërë larg syve të publikut me qëllim që kontributi të ipet pa ndonjë presion nga faktorë të jashtëm.

“Asociacioni i Komunave në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë” është titulli i draft-statutit.

Senad Sabovic nga EIP ka thënë se statuti i Asociacionit është në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Sabovic: Statuti i Asociacionit është në pajtim me ligjet e Kosovës

“Propozimi i drafti tonë është që të ndryshohet titulli dhe arsyeja për këtë punë është se kjo fazë është më kushtetuese dhe më ligjore sepse kjo frazë ‘Komunat në të cilat bashkësia serbe është shumicë’ ekziston fjalë për fjalë edhe në kornizë kushtetuese pra në të gjitha dokumentet ligjore dhe ka ekzistuar edhe në sistemin ligjor për vite pa u sfidu politikisht dhe ligjërisht. Edhe pse ligjërisht më e shëndoshë, titulli i ri nuk do të largonte asgjë nga ideja e këtij asociacioni. Është strukturë e parimeve të pajtuara në vitin 2015 dhe u përmbahet parimeve po që sa lejon Kushtetuta. Statuti i Asociacionit është në pajtim me ligjet e Kosovës, me parimet të cilat e udhëheqin Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Për këtë draft, FES ka angazhuar edhe Gjylejta Mushkolajn si eksperte ligjore.

Mushkolaj: Nëse po mendoni për kompetenca shtetërore ekzekutive atëherë nuk e besoj që neni 5 ka të bëjë me një gjë të tillë

“Nëse po mendoni për kompetenca shtetërore ekzekutive atëherë nuk e besoj që neni 5 ka të bëjë me një gjë të tillë. Shumë thjesht këtu u ipet në realitet një fuqi shumë e madhe institucioneve të shtetit dhe nëse qeveria e konsideron se mund të ia delegojë ndonjë kompetencë këtij asociacioni është qeveria ajo që vendosë dhe në fund të fundit jemi ne qytetarët që çdo katër vjet, ndonjëherë edhe më shpesh dalim në zgjedhje, dhe vendosim kënd do ta kemi në qeveri. Por realisht ne e kemi prandaj mekanizmin e gjykatës kushtetuese që edhe nëse qeveria do me ia dorëzu e me transferu kompetencat të ky asociacion, gjykata kushtetuese thjesht nuk e lejon një gjë të tillë”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas draftit, pjesë e këtij asociacioni mund të jenë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Por sipas Alban Krasniqi këshilltar i ministrit në Ministrinë e Administrimit dhe Pushteti Lokal, ky dokument bie në kundërshtim me tri ligje të Kosovës.

Krasniqi: Drafti i prezantuar paraqet Asociacion një-etnik

“Ky Asociacion për mua është një etnik dhe për secilin qytetar që di të lexojë është një etnik, nuk ka kurrfarë elementi të multi-etnicitetit brenda, ato fjalë realisht nuk kanë ndonjë vlerë brenda në kuptimin të themi të detyrimit që mund ta ketë kjo strukturë për ta respektuar diversitetin dhe komunitetit e tjera… Lehtë me kuptu që së paku në tri ligje bien në kundërshtim ky propozim, dhe ato ligje janë ligji për vetëqeverisje lokale, ligji për financa publiek në nivel lokal, dhe ligji për bashkëpunim ndërkomunal. Pra nuk është e vërtetë që ky propozim ashtu siç është nuk jen në kundërshtim me ligjet aktuale që ekzistojnë në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka paraqitur kundërshtimet e tij për këtë dokument.

Kurteshi: Nëse Asociacioni nuk është një-etnik pse përmendet vetëm komuniteti serb

“Disa herë u përmend thotë nuk është asociacion bashkësi një etnike, unë nuk dëgjova asnjëherë që përmendet ndonjë emër tjetër përveç serb, nëse nuk është një etnike pse nuk po është e mundur me thënë diku kemi edhe goran, edhe turq, me gjasë ka një averzion ndaj konceptit shqiptar, por ajo nuk është me rëndësi”, ka thënë Kurteshi.

Dokumenti u prezantua para shoqërisë civile, mediave e pjesëmarrës të tjerë.

Ymeri: Auditori i Përgjithshëm auditon vetëm buxhetet e organeve shtetërore, jo asociacionet

“Nëse Asociacioni do të ketë drejtën e prokurimit publik a nuk kemi organe në republikën e Kosovës që do të duhej t’i adresonin vërejtjet e ankesat që mund ti kenë këto palë dhe pse duhet asociacioni me pas këtë zyrë e cila për mua e jep një atribut të organit shtetëror. Të buxheti thuhet ndër të tjera auditimin e shpenzimeve pra të buxhetit të Asociacionit do ta bëjë edhe auditori i përgjithshëm që po ashtu auditori i përgjithshëm i auditon vetëm buxhetet e organeve shtetërore”, ka thënë Visar Ymeri nga Instituti Musine Kokalari.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se duhet pasur kudjes me termet e përdorua në dokument.

Miftaraj: Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca të mbrojë por vetëm lehtësojë bashkëpunim në mes të komunave

“Të pjesa e kompetencave të Asociacionit besoj duhet me pas kujdes me terma, ka vende që thotë asociacioni ‘protect’, ën aspektin kushtetues e ligjor kur përdorim fjalën ‘protect’ janë referenca që i takojnë gjyqësorit, instancave shtetërore. Nuk besoj që Asociacionii ka kompetenca, mekanizma që ka me mbrojt, mundem me kuptu që asociacioni ka qëllim me promovu, me lehtësi bashkëpunimin mes komunave por jo edhe ‘to protect’; sepse pastaj kalon në kompetenca në pushtet ekzekutiv”, ka thënë ai.

Sipas draftit, statuti mund të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Për Asociacionin do të diskutohet edhe nesër në Prishtinë, në një takim me shoqërinë civile dhe pelikanë të thirrur nga ambasada Amerikane.

Share.