Prishtina duhet të kryejë një hetim për akuzat se Serbia qëndron pas një serie të sulmeve ndaj policëve të Kosovës dje në veri të Kosovës dhe të përcaktojë saktësisht se kush qëndron prapa atyre sulmeve dhe të mos transferojë përgjegjësinë në Beograd pa zhvilluar asnjë hetim, tha Milovan Drecun, kryesues i Komisionit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë.

Ai shtoi se gjëja kryesore në gjithë këtë është se “Prishtina ka forca të konsiderueshme në brezin përgjatë vijës administrative ku ndodhën këto incidente”.

“Prishtina, nën maskën e të ashtuquajturës polici kufitare, ka formuar njësitë intervenuese që përfshijnë pjesëtarë të forcave speciale të cilët shpesh pushtojnë veriun e Kosovës dhe kanë mundësi të përcaktojnë se nga vijnë dhe kush është përgjegjës për ato sulme. Për fat të mirë, atje nuk pati viktima. Prishtina po ngritë me qëllim tensionet”, tha Drecun.

Ai ka theksuar se nuk është në interes të Beogradit dhe Serbisë që të destabilizojnë situatën në veri të Kosovës, sepse siç thotë ai, çmimin për çfarëdo destabilizimi e paguan populli serb në Kosovë.

“Prishtina duhet të veprojë me shumë kujdes, që KFOR-i të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë, të mos lejojë depërtimin e njësive speciale nga Prishtina në veri të Kosovës. Prishtina po e bën të gjithë këtë qëllimisht, me llogaritje. Nga njëra anë kanë një fushatë të fortë propagandistike. Duke i lidhur ngjarjet në Ukrainë me “një lloj synimi imagjinar të Serbisë ndaj Kosovës, edhe pse ne kemi vendosur shumë qartë që problemin e Kosovës ta zgjidhim në mënyrë paqësore dhe politike”, tha Drecun.

“Që nga fillimi i krizës në Ukrainë, është duke u zhvilluar fushata e Prishtinës ndaj Serbisë, me argumentimin se Serbia po armatoset dhe po kërcënon Kosovën dhe gjithë rajonin”, tha Drecun.

“Perëndimi, drejt të cilit është drejtuar ky mesazh nga Prishtina, e di shumë mirë se si janë gjërat. Serbia është një vend neutral dhe ai neutralitet duhet të mbështetet duke forcuar kapacitetet mbrojtëse. Nuk mund të ruani neutralitetin tuaj ushtarak nëse nuk keni ushtri, që gjithmonë mund të mbrojë tokën dhe hapësirën ajrore dhe në këtë kuptim, Serbia po siguron armë ekskluzivisht mbrojtëse”, tha Drecun.

Sipas tij, Serbia e ka përjashtuar mundësinë që problemi i Kosovës të zgjidhet me forcë, gjegjësisht duke përdorur forcat e armatosura. Ai shtoi se Prishtina po i shmanget vazhdimit të dialogut në Bruksel dhe për këtë arsye po e shfrytëzon këtë situatë dhe po krijon një atmosferë të tensionuar në të cilën duket e pamundur vazhdimi i dialogut.

Një ftesë e re për Beogradin dhe Prishtinën për arritjen e rezultatit në dialog pritet para seancës së Këshillit të Sigurimit, në të cilën do të diskutohet raporti gjashtëmujor për situatën në Kosovë.

Drecun beson se është e mundur të arrihet një rezultat në dialog nëse ekziston vullneti politik i të dyja palëve.

“Ekziston në anën e Beogradit, por jo në anën e Prishtinës. Nuk ka përparim në dialog sepse Prishtina nuk e dëshiron këtë. Përveç kësaj, kur Prishtina na akuzon për armatim dhe militarizim, edhe pse është e drejta jonë të forcojmë kapacitetet mbrojtëse, ajo po harron apo qëllimisht po fsheh nga nga publiku përpjekjet shumë të mëdha për të armatosur formacionin e saj paramilitar, të ashtuquajturën Forca e Sigurisë së Kosovës apo ushtrinë e ardhshme të Kosovës”, tha ai.

“Buxheti i të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës është rritur për 50 për qind, ishte planifikuar të jetë 103 milionë, por nuk duhet harruar se ata kanë formuar një fond për grumbullimin e parave për armë dhe po nxitojnë me këmbëngulje për të siguruar tre helikopterët, ata u pajtuan me Turqinë për të blerë katër avionë me telekomandë dhe janë në kërkim të dronëve të zbulimit,” tha Drecun.
Sipas tij, pyetja është se çfarë do të bëjë me armë të tilla.

“Serbia e sheh këtë si një faktor që rrezikon sigurinë e popullit serb dhe si një faktor krejtësisht në kundërshtim me Rezolutën 1244, sepse ky formacion nuk duhet të ekzistojë. Ata po e përdorin këtë situatë me Ukrainën për të shkurtuar procesin 10-vjeçar për formimin ushtrisë së tyre. Ata e përshpejtuan procesin dhe morën sa më shumë donacione armësh nga perëndimi me pretekstin e rremë se dikush po përgatit një sulm ndaj Kosovës,” shpjegon Drecun.

/TV Malisheva

Share.