Vrasja tronditëse e Liridona Murselit në Bërnicë të Prishtinës, e cila u ekzekutua me porosi të bashkëshortit të saj, ka ngjallur reagime të shumta.
Një marshim-protestë do të zhvillohet në Tiranë lidhur me këtë ngjarje.
Marshimi, sipas njoftimit, do të nisë të dielën në orën 11:30 nga Ministria e Brendshme drejt Ambasadës së Kosovës në Tiranë.
Policia dje njoftoi se për rastin i cili u vlerësua fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.
Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’rast nga ky aksion janë arrestuar personat Granit Plava (dorasi) dhe Naim Murseli (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.
Mediat më pas raportuan se 30 mijë euro ishte shuma që Naim Murseli kishte premtuar për vrasjen e bashkëshortes. Granit Plava, i cili është arrestuar si ekzekutuesi i krimit, ka deklaruar se ka marrë nga porositësi 15 mijë euro, ndërsa i është premtuar se do marrë edhe 15 mijë euro të tjera.
Për këtë krim është arrestuar edhe një pjesëtar i FSK-së, Kushtrim Kokalla.
/TV Malisheva