Hoxha përmes konferencës për media ka thënë se veprimet e Policisë janë të bazuara në ligj duke përfshirë dhe arrestimet.
Ai tha se policia është duke arrestuar personat që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, qytetarët, pjesëtarët e KFOR-it, gazetarët.
“Të gjithë ata që do të identifikohen do të ndiqen penalisht dhe do të dërgohen para ligjit”, ka thënë Hoxha.
I pyetur se a ka kapacitete të mjaftueshme Policia e Kosovës për të vepruar në veri, Hoxha tha: “ka kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me grupet kriminale dhe situatën atje. Normalisht që ne jemi duke u koordinuar dhe me partnerët tonë të sigurisë edhe brenda institucionit të Kosovës por dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë KFOR-in dhe EULEX-in”, tha Hoxha.
Ndryshe, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është shprehur të premten i alarmuar nga situata në veri të Kosovës.