Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorë, ka pritur në takim njohës komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutas i cili po ashtu ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij.

Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës në këtë takim njoftues u diskutuan situata e sigurisë në Republikën e Kosovës.

“Takimi rezultoi me rikonfirmimin e vazhdimit të bashkëpunimit të mëtejmë dhe avancimit të shkëmbimit të informacioneve në funksion të ruajtjes së një ambienti më të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Pikë tjetër e diskutimeve ishin aktivitetet dhe patrullimet e përbashkëta në mes të PK-së dhe KFOR-it, të cilat reflektojnë në situatën e sigurisë në tërë vendin, përfshirë veriun”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Policia ka përfunduar duke njoftuar se të dyja palët “u dakorduan se vazhdimi i bashkëpunimit, mirëbesimit dhe realizimit të aktiviteteve të përbashkëta, ndikon në rritjen e mëtejme të nivelit të sigurisë së përgjithshme”.

/TV Malisheva

Share.