Nesër me fillim nga ora 20:00, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i përballjes mes Dritës dhe Llapit në finalen e Kupës së Kosovës.
Drita do të synojë me çdo kusht që të del triumfuese dhe ta fitojë trofeun pas afro dy dekadave, ndërsa Llapi do të ketë për qëllim ta mbrojë titullin e kampionit, përcjellë TV Malisheva.
Një ditë para ndeshjes, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu dhe kapiteni Arbnor Muja, kanë folur në një konferencë për media, duke treguar vlerën e kësaj ndeshjeje dhe se si do të tentojnë ta ndalin skuadrën e Llapit.
Nuhiu ka thënë skuadra e tij ka bërë përgatitjet për finalen.
Nuhiu: Kemi marrë të gjitha masat për një ndeshje finale
“Është vetëm një ndeshje futbolli, ndeshje të cilën e kemi përgatitur si çdo ndeshje tjetër, nuk diskutohet, është finale, dhe kemi marrë të gjitha masat se çfarë mund të ndodh në një finale”, tha Nuhiu.
Nuhiu foli edhe për rrezikun që mund të paraqitet nga skuadra e Llapit, ku potencoi se sulmi i llapjanëve është tejet i rrezikshëm.
Nuhiu: Llapi ka sulm të rrezikshëm
“Është skuadër, e cila shënon shumë realisht, apo mos gabofsha është skuadra e cila ka shënuar më së tepërmi këtë vit. Duhet të kemi kujdes sepse kanë sulm të shpejtë dhe të rrezikshëm. E potencova edhe më herët se kemi marrë të gjitha masat duke përgatitur, duke eliminuar pikat e forta të tyre dhe të shfrytëzojmë dobësitë që mund të paraqiten nesër mbrëma”, tha Nuhiu.
Po ashtu, trajneri i Dritës tregoi se trofeu i Kupës së Kosovës veçse që ka rëndësi për stafin dhe lojtarët, rëndësi të madhe ka edhe për qytetin e Gjilanit dhe tifozët “Intelektualët”.
Nuhiu: Është e rëndësishme për qytetin dhe tifozët tanë “Intelektualët”
“Është një mundësi që të shkruajmë histori, është e rëndësishme që të fitojmë këtë trofe për qytetin, për tifozët tanë ‘Intelektualët’ gjithashtu edhe për ne si staf, apo edhe futbollistët mendoj që e kanë merituar të stolisemi me këtë trofe”, Ardian Nuhiu.
Për fund, Nuhiu potencoi se pret spektakël në tribuna, pasi që të dyja skuadrat kanë tifozëri të zjarrta.
Nuhiu: Pres numër të madh të “Intelektualëve”, do të ketë spektakël në tribuna
“Kam besim të plotë se nesër do të vinë një numër i madh i tifozëve tanë ‘intelektualët’, gjithashtu nuk do të mungojnë edhe nga ekipi kundërshtarë, sepse edhe ata kanë tifozë të zjarrtë. Do të jetë një spektakël në tribuna, por kam besim të plotë se takohen dy skuadrat të cilat kanë siguruar Evropën, dhe thjesht luajnë për atë trofe të cilat do ta kërkojmë ta fitojmë”, tha Nuhiu.
Krahas trajnerit Nuhiu, edhe kapiteni i skuadrës, Arbnor Muja, foli për rëndësinë që ka ndeshja e nesërme, pasi do të jetë finalja e parë e tij.
Muja: Është finalja e parë për mua
“Mendoj se çdo trofe është i rëndësishëm për secilin lojtar, por aq më tepër për një kapiten është privilegj dhe përgjegjësi dhe momentin kur e fiton një trofe dhe e ngrit është shumë i veçantë. Për mua personalisht kjo do të jetë finalja e parë dhe për këtë arsyeje do të ishte shumë i veçantë edhe trofeu, sepse unë mirë e di edhe vuajtjen e tifozëve që e presin me padurim këtë trofe që mungon shumë vite”, tha Muja.
Në mbyllje të konferencës, trajneri Nuhiu foli edhe për finalen e sotme të Ligës së Konferencës, për të cilën tha se do ta përkrahë skuadrën e Feyenoordit, e cila përballet me Romën.
/TV Malisheva