Ka përfunduar ndeshja tejet interesante mes Dritës dhe Trepçës ’89, ku tre pikët e plota i ka siguruar skuadra e Ardijan Nuhiut.

Pas plot 90′ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin ndihmës në Gjilan, Drita ka regjistruar fitore me rezultat 3:1 kundër Trepçës ’89, raporton TV Malisheva.

Fillimisht, rezultatin i pari e zhbllokoi Muharrem Jashari, i cili i shënon ish-skuadrës së tij në minutën e 7′, dhe kalon Dritën në epërsi prej 1:0.

Rezultatin në 2:0 për gjilanasit e thelloi Besnik Krasniqi, i cili konkretizon penalltinë me sukses në minutën e 54′ të ndeshjes.

Drita vazhdoi me paraqitje fantastike, ku e gjeti edhe golin e tretë përmes Ardit Tahirit, i cili në minutën e 70′ shënon për 3:0.

Kur shihej se ndeshja ishte drejt fundit me këtë rezultat, Trepça ’89 gjeti golin e nderit përmes Ardian Mujës, i cili në minutën e 90+3′ shtesë shënon golin e vetëm të ndeshjes për mysafirët.

Me pikët e reja, Drita përforcon pozitën e parë në tabelë ku ngjitet në kuotën e 24 pikëve, krahas Trepçës ’89 që tani renditet në vendin e gjashtë me nëntë pikë të arkëtuara.

Rezultati final, 3:1 në favor të Dritës.

/TV Malisheva

Share.