Mundësitë që Dua Lipa dhe Taylor Swift të dalin duarbosh nga Grammy Awards janë pothuajse 0. Të dyja këngëtaret, ndër më të suksesshmet e brezit të tyre, kanë nga gjashtë nominime secila dhe çfarë është më e rëndësishmja, në kategori kryesore si “Record of the year”, “Albumi i vitit”dhe “Kënga e vitit”.

Duke marrë parasysh suksesin e tyre me albumet “Future Nostalgia” (Dua) dhe “Folklore” (Taylor) nuk është çudi që artistet t’i ndajnë çmimet me njëra-tjetrën. E vetmja që ka të ngjarë të prishë këtë parashikim është: Beyonce.

Ndryshe nga çdo artist tjetër, Beyonce kryeson me 9 nominime dhe nisur nga 9 vs 6, është e arsyeshme të mendosh, fillimisht, që mundësitë që Beyonce të mos triumfojë janë të pakta. Por, duhet theksuar se 2020 ishte një vit i suksesshëm për të, po jo më i miri. Shumica e nominimeve të saj janë për këngën “Black Parade” dhe për paraqitjen në remiksin e “Savage” të Megan Thee Stallion.

Variety shkruan se edhe nëse fiton vetëm në kategoritë si R&B, rep apo media vizuale – ku ka shumë të ngjarë të fitojë – Beyonce do të bëhet zyrtarisht artistja femër më e vlerësuar e të gjitha kohërave në Grammy. Një arritje e jashtëzakonshme, por që mund të mos e ketë shkëlqimin e pritur, për sa kohë Dua dhe Taylor mund të rrëmbejnë çmimet e kategorive kryesore.

Suksesi i Beyonce-s mund të shihet si gjysmë-triumfues. Megjithatë, këto janë vetëm parashikime. /TV Malisheva

Share.