Kishte vendosur që turin e saj botëror ta përmbyllë në Shqipëri, të flasë shqip e të ngrejë flamurin kuq e zi në skenë, në emër të një date të shënuar si ajo e ngritjes së flamurit në Vlorë, si ajo e Pavarësisë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë.
Koncerti filloi nga ora 19:00 me performancat e këngëtares Elvana Gjata, ndërsa ishin mbledhur aty edhe të huaj që kishin mbërritur në Tiranë si fansa të Dua Lipës. Kryeqyteti i Shqipërisë është kthyer në kryeqytetin europian të rinisë pas mbërritjes së shumë fansave të këngëtares Dua Lipa në Tiranë, ndërsa shqiptarët shijuan performancën që prisnin që nga organizimi i Sunny Hill Festival, interpretimet fantastike të Dua Lipës.
Fituesja e 3 çmimeve Grammy Awards, ka realizuar gjatë këtij viti 94 koncerte në të gjithë botën për ta mbyllur me duartrokitjet e shqiptarëve në Tiranën festive.
Para koncertit, Dua u shpreh se kryeqyteti shqiptar do të shënojë edhe mbylljen e turneut të saj botëror “Future Nostalgia”. “Faleminderit shumë, urime 110-vjetorin e pavarësisë! Faleminderit për suportin, për energjinë që po na jepni sot. Kjo është nata e fundit e turneut, këtu sot përfundojmë në Tiranë, me ju. Faleminderit shumë që jeni këtu!”, u shpreh Dua Lipa.
Ajo shtoi se do të shfrytëzojë këtë mundësi, për t’i treguar botës se cilët janë shqiptarët e vërtetë. “Mendoj që kemi nevojë të luftojmë ksenofobinë kudo në botë, jo vetëm për ne, por për të gjithë nëpër botë. Është e vetmja gjë që mund të bëjmë, të ndryshojmë stigmën ndaj shqiptarëve. Mendoj që ka shumë njerëz që provojnë të na tregojnë që ne nuk jemi kush jemi dhe e kam një ndjesi që kisha nevojë të shpreh që ne kemi të drejtën të krenohemi”, tha Dua Lipa.
Këngëtarja tregoi me krenari pasaportën shqiptare të marrë një ditë më parë nga Presidenti Begaj bashkë me nënshtetësinë. “Është shumë e rëndësishme për mua dhe nder që jam në gjendje të përfaqësoj vendin tim, gjithashtu më vjen mirë që e përfaqësoj në një mënyrë të mirë, pasi duhet të luftojmë stigmat. Por, ndihem shumë me fat që jam nga një vend si ky, ne jemi shumë krenarë për prejardhjen tonë”.