Dua Lipa i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ta paralajmëruar lansimin e një projekti të ri në bashkëpunim me yjet latinë të muzikës, J Balvin dhe Bad Bunny.

Pop ylli me prejardhje nga Kosova, përmes një mesazhi të postuar e ka zbuluar emrin e këngës së ardhshme, që do të jetë “Un Dia (One Day)”, si dhe ka bërë të ditur se projekti do të lansohet të premten më 24 korrik.

Një sekuencë e shkurtër e këngës e shoqëronte videon e postuar nga Dua, ku u emëruan edhe disa bashkëpunëtorë të tjerë në realizimin e videoprojektit si 21-vjeçari nga Kolumbia, Stillz, i cili e ka bërë regjinë e klipit dhe “Neon16”, studioja incizuese e producentit dhe kantautorit nga Puerto Rico, Tainy.

Kënga “Un Dia (One Day)” do të jetë projekti më i ri muzikor i këngëtares Lipa, që vjen pas lansimit të albumit të saj të dytë muzikor, “Future Nostalgia”.

Ndërsa, në fillim të këtij muaji, ajo e publikoi edhe videoklipin e ri të këngës “Hallucinate”, që është pjesë e këtij incizimi.

Në fillim të kësaj jave, Lipa u bë lajm në mediat dhe portalet botërore për postimin e një mesazhi, që bënte thirrje për të drejtat e popullit kosovarë dhe i cili zgjoi debate dhe reagime të ashpra nga Serbët.

Gjatë ditës së martë, këngëtarja me famë botërore e postoi një tjetër mesazh në rrjetet sociale përmes së cilit e shpjegoi qëllimin e mesazhit të saj paraprak, duke thënë se ajo kurrë nuk tenton të ndjellë urrejtje tek njerëzit.

“Thjeshtë më mërzit fakti që mesazhet e mia keqinterpretohen nga grupe njerëzish të cilët e promovojnë ndarjen etnike, diçka që unë e refuzoj kategorikisht dhe e urrej vërtetë.

Sa herë që postoj diçka për Kosovën, llogaritë e mia në rrjetet sociale mbushen me mesazhe negative dhe rezistencë ndaj idesë së një kulture autentike kosovare.

Madje edhe atëherë kur postoj diçka argëtuese si ushqimet apo muzika tradicionale e vendit tim.

Ne të gjithë meritojmë të jemi krenarë për etninë dhe vendin prej nga e kemi prejardhjen.

Unë, thjeshtë dua që vendi im të përfaqësohet në çdo hartë si dhe të kem mundësi të flas me krenari dhe gëzim për rrënjët e mia shqiptare.

I inkurajoj të gjithë njerëzit që ta festojnë trashëgiminë dhe prejardhjen e tyre, dhe të dëgjojnë e mësojnë nga njëri-tjetri.

Paqe, dashuri dhe respekt për të gjithë,” ka deklaruar tutje Dua Lipa./Tv Malisheva

Share.