Ngjarjet e fundit më kanë bërë të mendohem seriozisht, sa për faktin që
ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë të ndodhnin. Mendoj se edhe ju duhet të
mendoheni për këto gjëra dhe, më shumë akoma, se ato nuk duhet të ndodhin në
një shoqëri socialiste. Këtu nuk është fjala se u bënë veprime të shëmtuara
kundër meje, kundër një shkrimtari, nga një lidhje shkrimtarësh dhe në
mënyrë të organizuar. E keqja është se këto sulme të këtyre shkrimtarëve u
bënë të drejtuara nga ju dhe në emër të një shoqërie të ndërtuar
ideologjikisht, politikisht nga ju, në një mënyrë që nuk mund të pranohet se
është socialiste. Duhet të pranojmë sinqerisht, se në të dyja rastet ndeshim
në mënyrë më të pagabueshme me absolutizmin e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Në
këtë fillim tetori dhe duke u nisur nga dëshira e mirë që ju të mos shkelni
në rrugë të gabuara, që do të kishin pasoja tragjike si për vendin tonë,
ashtu edhe për ju personalisht, vendosa që ta shkruaj këtë promemorie dhe
t’ua nis pa humbur kohë. Tashti le të shikojmë secilën nga pikëpamjet tuaja
kryesore, atë lidhur me artin dhe atë që ka të bëjë me këtë realitet të
ndërtuar prej jush. Kam bindjen se ju nuk e keni vetëdijen e rreziqeve që
vijnë prej një realiteti të ndërtuar në një mënyrë të tillë. Të gjithë këtu
në Lidhje, në harmoni edhe me ata përfaqësues tuajt, që sollën këtu porosinë
tuaj, këndojnë në mënyrë të porositur një himn për një realizëm të quajtur
“socialist”. Pa qenë nevoja që të jesh shumë i zgjuar, këtu arrin në
përfundimin e pashmangshëm se, ose ekziston një “realizëm”, ose prej
momentit që ai ka nevojë që t’i vihet një bisht, ai pushon së ekzistuari.
Realizmi ose është realizëm, ose nuk është fare i tillë: që këtej del se kjo
rrymë letrare, që në fillim të saj, niset shtrembër dhe kuptohet çfarë gjëje
e përbindshme do të dalë më tej. Vetë emri realizëm socialist bëhet garanci
për shtrembërime të përbindshme, që edhe tashti kanë nisur të duken me tërë
qartësinë e formës dhe të përmbajtjes së tyre. Le të shikojmë konkretisht
ç’përmbajnë veprat letrare të realizmit socialist, qoftë edhe ato më të
mirat. Një inxhinier i mirë, një inxhinier i keq dhe një që ndreqet!… Një
fshatar i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!… e kështu me radhë. Një i
mirë, një i keq dhe një që ndreqet!… Komunistët janë gjithmonë heronj të
situatave, ata vijnë në faqe vetëm për të na recituar monologë me përmbajtje
heroike!… Le të kthehemi prapa në histori dhe le të shohim sesi qëndronin
punët në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Aty ishin ndarë punët në mënyrë
më të qartë. Mbretërit dhe princat e kishin siguruar pjesëmarrjen e tyre në
veprat më serioze. Ata lëviznin vetëm nëpër tragjeditë, kurse populli, të
gjithë ata që ishin më poshtë se mbretërit dhe princat, e kishin vendin e
tyre në veprat qesharake. Ata ishin objekt gazi, përqeshje dhe fyerjesh të
të gjitha llojeve. Tani, a mund të pranohet si e drejtë, që një gjë e tillë
të zbatohet në shekullin e njëzet dhe në një shoqëri që pretendon se është
socialiste? Me sa më sipër, del qartë se realizmi socialist ka lidhje të
drejtpërdrejta me idetë e absolutizmit francez, qoftë si teori, qoftë si
praktikë. Megjithatë, gjëja më e keqe nuk na shfaqet në praktikën e
zhgarravitjeve letrare, se ato si vepra të dobëta do të zverdheshin në
vitrinat e librarive dhe shumë shpejt do të harroheshin edhe nga vetë
autorët e tyre. Gjëja më e keqe, sipas mendimit tim, vjen nga fakti se e
gjithë puna letrare po organizohet sipas modeleve mesjetare të urdhërave
fetarë të murgjëve. Kështu, Lidhja e Shkrimtarëve është organizuar si një
urdhër murgjish mesjetarë. Në krye të Lidhjes është një Mjeshtër i Madh dhe
të gjithë janë të detyruar të dëgjojnë, përderisa vazhdon funksionin e
Mjeshtrit të Madh. A nuk e kuptoni se është një koncept dhe veprim mesjetar
të ndash në këtë mënyrë “funksione” dhe “privilegje”? Le ta shikojmë si keni
vepruar ju gjatë këtyre viteve. Ju vendosni në Komitetin Qendror, që Kolë
Jakova të jetë një shkrimtar i madh dhe të gjithë përposh aprovojnë vendimin
tuaj. Kritika thërret e çirret që Halili dhe Hajria e Kolë Jakovës është një
vepër e madhërishme. Pastaj, vëmendjen tuaj, së bashku me favoret, i fiton
Dhimitër Shuteriqi, si kryetar i Lidhjes dhe si… Më mirë le ta lemë këtë
pikë…Prandaj ju nuk duhet ta trajtoni Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë
si një zgjatje organizative të hallkave të ndryshme që ka organizuar PPSH.
Lidhja e Shkrimtarëve është një organizatë njerëzish të lirë, por jo një
hallkë në një shoqëri feudale, ku ushtrohen në mënyrën më të çuditshme të
drejta dhe detyra feudale. Lidhur me këto të drejta dhe detyra do tju jap
më poshtë një shembull, që nuk duhej të kishte vend në shoqërinë tonë. Dihet
se romani im “Rinia e kohës sonë” është shkruar që më 1948. “Mbarimi i një
mbretërie” është shkruar më 1951. Por nuk duhet harruar se romani “Harbutët”
i Sterjo Spases është shkruar që në 1946!… Atëherë pse Partia vë këmbën
dhe i ndal këto shkrime më të hershme dhe i jep kohë Dhimitër Shuteriqit, që
të shkruaj në 1952 romanin e tij pa asnjë vlerë “Çlirimtarët”?… Pse Partia
ia boton me një zhurmë shurdhuese këtë roman? Pse mobilizon gjithë kalorësit
feudalë të kritikës për të trumbetuar si romani i parë në gjuhën shqipe?…
Dhe jo vetëm si romanin e parë, por si një roman të madh të letërsisë
shqipe!… Dhe dihet se në Shqipëri janë shkruar edhe më parë, edhe shumë më
parë romane… Edhe në gjuhën shqipe!… A është e drejtë që të merrej një
parti e tërë, në pushtet. Por ai regjim do të jetë shumë i rrezikshëm për
atë vetë. Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe
brenda radhëve të udhëheqjes, që do të transformohet dalëngadalë në një
kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik
të shekullit XX. Në përfundim të këtij procesi historik, ju do të detyroheni
të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak. Mendoj se jemi
plotësisht në kohë që të shmangim një të keqe të madhe, dhe kjo është
arsyeja që po ua drejtoj këtë promemorie të shkruar në mënyrë të ngutshme.
Duke shpresuar se ju do të më kuptoni drejt dhe nuk do ti keqinterpretoni
mendimet e mia.
Promemorie për Enver Hoxhën, Komiteti Qendror i PPSH, Tiranë 5 tetor 1953
Kasem Trebeshina

Share.