Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim anëtarët e sapo emëruar të Këshillit të Librit.
Ministrja Dumoshi theksoi që qasja dhe bashkëpunimi i saj si ministre do të jetë gjithmonë në funksion dhe në ndihmë të autorëve dhe botuesve në Kosovë.
Libri dhe veprimtaria botuese është ndikuar dhe dëmtuar nga pandemia e COVID-19, prandaj edhe do të jenë pjesë e pakos emergjente për kulturë.
Ministrja u zotua që do të rritet fondi për përkrahjen e botimeve dhe blerje të librave si dhe u shpreh e bindur që Këshilli do të jetë aktiv në angazhimet e veta dhe do të punojë me profesionalizmin e duhur, në atë mënyrë që të bëhet seleksionimi i duhur i autorëve dhe librave që do të përkrahen nga MKRS.
Gjithashtu theksoi që prioritet i saj për këtë mandat është themelimi i Qendrës së Librit.
Edhe anëtarët e sapo emëruar u zotuan që do të angazhohen maksimalisht brenda funksionit dhe detyrës që u është dhënë ndonëse viti 2020 dhe situata me COVID-19 ka bërë që aktiviteti i botuesve të bjerë ndjeshëm dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në prurjet e reja të autorëve.
Këshilli i Librit, bazuar në ligjin për librin dhe veprimtarinë botuese emërohet nga Ministri i Kulturës dhe është organ këshillëdhënës që ka për qëllim të japë iniciativa dhe të propozojë vendime në të mirë të veprimtarisë botuese, të librit dhe të leximit të tij.
Këshilli i Librit përbëhet nga një përfaqësuesi i autorizuar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetit të Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Institutit Albanologjik si dhe nga krijues të afirmuar (sipas gjinive letrare: një poet, një prozator, një kritik letrar)./ Tv Malisheva