Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, me anë të një shkrimi në Facebook ka kërcënuar kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.
Zyba ka thënë se prej që ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, pyetja më e shpeshtë që i bëhet atij është se “a më shumë ke vota ti a Shpend Ahmeti?”.
“I sigurtë jam që Shpendi përveç që nuk do të jetë deputet, nuk do të jetë as kryetar komune”, ka shkruar Zyba.
Tutje ai e ka krahasuar Ahmetin me ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për shkelje të ligjit me tre vjet burg. Zharku pas marrjes së vendimit ishte larguar nga Kosova dhe kishte shkuar të arratisej në Suedi deri sa i përfundoi dënimi.
“E vendin ku do të jetojë ka të drejtë ta zgjedhë si Xhabir Zharku”, ka shkruar Zyba duke kërcënuar me Zharkun.
Kujtojmë se Shpend Ahmeti është kryetar i komunës së Prishtinës prej vitit 2013. Kohën kur ai e kishte fituar këtë komunë ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndroi aty deri sa u largua së bashku me një grup deputetësh në vitin 2018 dhe krijuan subjektin e tyre politik, PSD’në./
Ky është postimi i plotë :
“Pas fitores së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, pyetja më e shpeshtë që po më bëhet është: a më shumë ke vota ti a Shpend Ahmeti.
I sigurtë jam që Shpendi përveç që nuk do të jetë deputet, nuk do të jetë as kryetar komune. E vendin ku do të jetojë ka të drejtë ta zgjedhë si Xhabir Zharku.”
Gazeta Express