Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, nga qendra e vaksinimit të përqendruar në Vlorë, ka shpallur ditët e hapura të vaksinimit masiv antiCOVID19, për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç.

Sipas saj, qendrat e vaksinimit do të hapen për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç në datat 29-30 qershor.

Bazuar në rekomandimin e ekspertëve të shëndetit publik, ne kemi vendosur që ashtu sikurse edhe shumë vende të tjera në botë e kanë praktikuar të mundemi që nga java e ardhshme dita e martë dhe e mërkurë të jenë ditë vaksinimi “Open day”për vaksinimin të gjithë popullatës plus 18 vjeç”, – tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se këto do të jenë ditë ndërgjegjësimi më shumë, por vlen që në grupmosha të ndryshme të popullatës të ketë një nivel të mirë të mbulesës vaksinale në mënyrë që të ketë edhe një kufizim të përhapjes së infeksionit dhe për të shmangur shpërthimet epidemike.

“Pavarësisht se jemi në një situatë të mirë, të kontrolluar epidemiologjike në të gjithë vendin nuk mund të themi që jemi imun qoftë nga COVID-19 që është ende prezent, qoftë edhe nga varianti i ri Delta“, shtoi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ftoi qytetarët që janë mbi 18 vjeç, të aplikojnë në portalin e-Albania, për të rezervuar vaksinën antiCOVID dhe për ta kryer gjatë dy ditëve të hapura të vaksinimit masiv kudo në territor.

“Ne do të përdorim platformën e-Albania, që të gjithë qytetarët që janë të interesuar për t’u vaksinuar, të mund të aplikojnë nga dita e nesërme, e diela dhe e hëna për të kërkuar për t’u vaksinuar dhe sistemi E-Albania do të njoftojë vendin e vaksinimit, sipas qyteteve dhe do të jenë kryesisht qendrat e vaksinimit të përqëndruar ato të cilat do realizojnë vaksinimet për ditët e hapura”, tha Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino u shpreh se vaksinimi i moshave më të reja është i rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit dhe shmangien e shpërthimeve epidemike të mundshme të variantit të ri Delta.

“Vaksinimi po ecën mjaft mirë. Kemi një mbulesë mjaft të mirë vaksinale sidomos tek personat mbi 70 vjeç, që është një grup mjaft i prekur nga pikëpamja e vdekshmërisë, kështu që është një element i mirë që ne pothuajse, po arrijmë 70 përqind të kësaj grup moshe, por edhe ato grupmoshat e tjera janë goxha mirë dhe prandaj ka rëndësi që ta ulim dhe më tepër grupmoshën, që të ndërgjegjësojmë dhe të rinjtë, sidomos me daljen e variantit Delta, që mund të prekë të rinjtë”, tha Bino.

Ministrja e Shëndetësisë ka ritheksuar se sezoni i verës do të jetë një sezon i vaksinimit masiv, duke vaksinuar edhe në shtëpi, edhe në fshatrat më të largëta, ku nuk është mbuluar e gjithë popullata, sidomos më të moshuarit, që kanë pamundësi të shkojnë pranë qendrave të vaksinimit.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 930,126 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 389,436 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID./ATSh/TV Malisheva

Share.