Kuvendi i Kosovës këtë javë do t’i mbajë dy seanca, njërën të enjten (16 shkurt) dhe tjetrën të premten (17 shkurt) për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, u shpreh se nga mbledhja e rregullt të Kryesisë së Kuvendit u dakordua që seancë e re, e rregullt të mbahet të enjten, derisa të premten për nder të pavarësisë.
Ajo tregoi pikat e rendit të ditës për seancën e së enjtes, ku do të shqyrtohet projektrezuluta për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë.
Kusari-Lila: Të premten seancë për 15-vjetorin e pavarësisë
“Deklarime të rendit të ditës, pyetje parlamentare, pastaj votim në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Këshillin e pavarur mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Shqyrtimin e parë të projektligjit për verërat, shqyrtimin e projektrezulutës për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë. Gjithashtu, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë solemne më 17 shkurt, ditën e premte në nder të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit.”, tha ajo.
Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, përveç që tregoi se Kuvendi në këtë javë do t’i mbajë dy seanca, adresoi edhe kritika ndaj qeverisë Kurti.
Tahiri: Kosova po zbrapset, Qeveria është vendosur në një llupë
“Kuvendi i Kosovës dinamikat e veta duhet t’i ngret, çështjet madhore për vendin janë tu na trokit në derë, duke përfshirë çështjen e marrëveshjes, mirëpo mbi të gjitha gjendjen e rëndë sociale, ekonomike në vend. Kosova po zbrapset përderisa Qeveria po mrizon dhe është vendosur në një llupë. Në një ballon të vetin në diskutim rreth dialogut. I humbëm dy vjet, nesër është 14 shkurti, dy vjet nga fitorja e Vetëvendosjes, por dy vjet ka vetëm fjalë dhe nuk ka asnjë punë.”, u shpreh ai.
/TV Malisheva