Deri më tani janë konfirmuar dy raste të burgosurve me COVID-19.
Ndërkaq janë edhe 26 zyrtarë korrektues të cilët janë infektuar me këtë sëmundje, ku prej tyre 12 janë ende që po qëndrojnë në vetëizolim. Si shkak i rritjes së numrit të rasteve me këtë pandemi, Shërbimi Korrektues i Kosovës nga 11 korriku ka ndaluar sërish vizitat për të gjithë të burgosurit.
Kështu bën të ditur drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi i cili thotë se gjatë kësaj kohe të burgosurve do t`iu mundësojë telefonata me të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes Skype, i cili tashme është i instaluar nëpër disa qendra korrektuese dhe të paraburgimit.
Ai thotë se situata është e qetë në të gjitha burgjet e Kosovës, megjithatë sipas tij po përballen me sfida të ndryshme.
Thaçi: Kemi arritur që të menaxhojmë këtë situatë mirë
“Fatbardhësisht ne deri tani kemi arritur që ta menaxhojmë këtë situatë mjaft mirë, e cila ka dhënë rezultate. Kjo si rrjedhojë e bashkëpunimit, bashkëkoordinimit, së bashku me popullatën tonë banuese të burgosurit. Dhe ata kanë shfaqur një gatishmëri të bashkëpunimit. Shumica nga ta në masë të madhe, të cilët kanë akceptuar apo kanë pranuar një situatë, e cila mbretëron jo vetëm në Kosovë por në gjithë globin”, thotë ai.
Që nga fillimi i pandemisë, të burgosurit janë angazhuar edhe në punimin e maskave. Për këtë, Thaçi zotohet se kanë pasur të mjaftueshme maska mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Thaçi: Ne e detyruam që të ndalojmë prapë vizitat
“Fatkeqësisht edhe pse ne një kohë kishim lejuar vizitat familjare, një numër shumë të vogël edhe atë të familjarëve të ngushtë, detyrimisht ne u detyruam që këto vizita prapë t’i ndërpremë… Ne vet prodhojmë maska kështu që ne kemi të mjaftueshme maska për nevojat tona, përveç se kemi marrë disa donacione ne kemi prodhuar edhe për institucionet tjera. Një kontingjent të vogël simbolik e kemi dhënë për Policinë e Kosovës, dhe për Inspektoratin Policor”, është shprehur ai.
Ndër të tjera, udhëheqësi i Shërbimit Korrektues njofton se zyrtarët korrektues janë të pajisur me mantele mbrojtëse, meqë sipas tij rezidentët janë të sigurtë brenda, por jo edhe gjatë kontaktit me gardianët.
Thaçi: Deri më tani kemi pasur dy raste të burgosurve të infektuar
“Ne deri tash kemi vetëm dy raste të burgosurve të infektuar. Njëri ka qenë brenda në burg po fatbardhësisht ka qenë në dhomë i vetëm, dhe mandej nuk është përhapur kjo dhe është shëruar kohë të gjatë. Dhe është rasti i dytë që ka qenë në spital i burgosur, por është identifikuar gjatë qëndrimit në spital. Ne nuk kemi indikacione që ai person e ka marrë nga dikush, apo është infektuar në spitalin e Pejës. Prandaj ne kemi vetëm dy raste. Rasti i tretë ka qenë i paraburgosur por fatbardhësisht ai është identifikuar para se të arrijë në burg, në spital të Gjilanit. Kështu që ne zyrtarisht i kemi vetëm dy raste, dhe i treti ka qenë me urdhër të gjykatës mirëpo nuk ka arritur në hapësirat tona”, shton Thaçi.
Aktualisht janë 12 zyrtarë korrektues të cilët po qëndrojnë në vet izolim, të njëjtit janë konfirmuar me COVID-19.
Thaçi: 26 zyrtarë korrektues janë infektuar deri më tani
“Nga stafi ne kemi pasur deri tash 26 zyrtarë korrektues të infektuar, 12 nga ta ende qëndrojnë në vetëizolim. Nuk ka nga ta sepse kemi komunikuar, nuk ka që kanë situatë të rënduar shëndetësore, por të gjithë janë në vetëizolim. Siç dihen vendimet e qeverisë për moshën, personalin tonë me sëmundje shëndetësore, ne i kemi liruar prej kohës, shumica e tyre janë në pushime. Prandaj, ne jemi duke punuar me staf të reduktuar sa i përket menaxhimit të kësaj situate”, deklaron Thaçi për KosovaPress.
Nehat Thaçi tregon se ka vështirësi operacionale në performimin e detyrave si shkak i numrit më të vogël të zyrtarëve korrektues. Megjithatë, sipas tij janë duke ri-menaxhuar këto situata, dhe burimet njerëzore.
Aktualisht në Kosovë janë rreth 1500 persona të burgosur./Tv Malisheva