Presidenti i klubit të madh turk, Fenerbahce, Ali Koç ka folur për sulmuesin e Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi.
Muriqi u transferua në verë nga Rizespori tek Fenerbahce për një shifër të raportuar rreth katër milionë euro.
Megjithatë, ndikimi i sulmuesi të Kosovës ka qenë i menjëhershëm duke arritur të shënoj dy gola në tri takimet e para.
Sulmuesi prizrenas gjithashtu ka shkëlqyer në dy ndeshjet eliminatore të Kosovës, ku ka shënuar gol ndaj Çekisë dhe ka asistuar dy herë dhe ka shënuar një gol ndaj Anglisë.
Këto paraqitje të mira kanë bërë që Muriqi të bëhet njëri nga emrat më të lakuar për transferim tek klubet e mëdha evropiane.
Manchester United, Tottenham Hotspur, Lazio dhe Atletico Madridi janë klubet që kanë shprehur interesim për yllin e ‘Dardanëve’, ndërsa për të ardhmen e tij ka folur presidenti i Fenerbahces.
“Ofertat nën 30 milionë euro nuk do t’i marrim parasysh për momentin”, ka thënë fillimisht Koç për mediumit Aspor.
“Lojtarit deri në fund të vitit do t’ i rritet vlera”.
“Aktualisht nuk është në shitje. Kontrata do t’i përmirësohet në vazhdim”, përfundoi presidenti i Fenerbahces.