Tetë vjet më parë, Irina Dovgan ishte dhunuar seksualisht në Donetsk të Ukrainës. Ajo tashmë përfaqëson zërat e të gjithë të mbijetuarve përmes Rrjetit Ukrainas të Grave të Prekura nga Dhuna. Në intervistë ajo deklaron se tash e gjashtë muaj ka filluar me dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale, duke shfrytëzuar përvojat nga Kosova. Dovgan tregon se ka informacione për dhunime masive në Ukrainë nga forcat ruse. E mbijetuara e dhunës seksuale i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë drejtësi për krimet që po bëhen ndaj popullatës ukrainase.

Irina Dovgan dikur lutej për vdekje, ndërkaq sot të përditshme janë për popullin ukrainas. Tash e gjashtë muaj ajo ka filluar me dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale dhe krimeve të tjera të luftës në Ukrainë nga pushtimi rus.

Dovgvan: Në territoret e çliruara shihen shumë raste të dhunës seksuale

“Çfarë dua të them është se tashmë ju e dini se ka një fazë të përgjakshme, ose fazë aktive të luftës në Ukrainë. Por në territoret e çliruara shihen shumë raste të dhunës seksuale, janë në masë, dhe kanë absolutisht të njëjtat probleme, viktimave u vjen turp të flasin, ose janë shumë të traumatizuara për të ndarë përvojën e tyre, madje as nuk duan ta ngrenë këtë pyetje, dhe fatkeqësisht në Ukrainë ekziston e njëjta stigmë që ndoshta ekziston edhe në Kosovë ndaj këtij abuzimi dhe dhunë seksuale”, tregon ajo.

Dovgan nga Rrjeti Ukrainas i Grave të Prekura nga Dhuna shton se as për rastin e saj, para tetë vjetësh, shteti nuk arriti të ofrojë mbështetje.

Dovgan: Na është kthyer e keqja, madhësia e saj është përtej përceptimit njerëzor

“Unë personalisht jam viktimë e dhunës seksuale e vitit 2014 dhe ka shumë gra si unë në Ukrainë. Ne duhej të bashkoheshim, duhej të organizoheshim. Fatkeqësisht, vendi ynë nuk bëri shumë për ne në vitin 2014, dhe personalisht besoj se e keqja e pandëshkuar gjithmonë do të kthehet, dhe komuniteti ndërkombëtar nuk ishte i përgatitur të përballet me këtë dhunë vite më parë, dhe tani çfarë kemi? – na është kthyer e keqja. Por madhësia e kësaj të keqeje është aq e madhe sa që është përtej perceptimit njerëzor, sepse viktimat në këtë proces nuk janë vetëm gra apo vajza, por ka edhe burra dhe djem, dhe kjo është mizori e madhe”, thotë ajo.

Për dhunimet seksuale dhe krimet tjera që po vazhdojnë në vendin prej nga vjen, ajo tash e gjashtë muaj po punon për dokumentimin e gjitha vuajtjeve dhe përjetimeve.

Dovgan: Për gjashtë muaj jam duke mbajtur proces bazuar në praktikën e Kosovës

“Të gjithë njohuritë për këtë përvojë të tmerrshme, atë që ndodhi gjatë luftës në Kosovë, dhe kjo njohuri ishte përdorur tashmë në Ukrainë, ku ne bashkëpunonim shumë ngushtë, dhe kjo njohuri dhe përvojë ishte në dispozicion për ne. Natyrisht, faza aktive e luftës ka ndërruar vëmendje, por ende tani jemi duke punuar dhe duke shfrytëzuar praktikën e Kosovës në Ukrainë, kështu që mbajtja e një procesi është bërë pikërisht tani për më shumë se gjashtë muaj, bazuar në praktikën kosovare, bazuar në njohuritë e Kosovës, bazuar në procedurat e Kosovës, pa asnjë përkrahje të shtetit, me iniciativat tona, dhe ne e vlerësojmë sinqerisht gjithçka që keni bërë për ne si popull ukrainas”, deklaron ajo.

Irina Dovgan, e cila është e mbijetuar e dhunimit seksual të vitit 2014, i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojnë kundrejt krimeve që po bëhen në Ukrainë.

Dovgan: Komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjohet

“Çka dëshiroj të theksoj është se komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjohet dhe nuk duhet mbyllur sytë kur shohin këtë gjë të tmerrshme që po ndodh me njerëzit në Ukrainë. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, dy kombet tona, Kosova dhe Ukraina, përvoja jonë e tmerrshme, e traumatizuar, ajo që kaluan të dy popujt, të dy kombet, pastaj pikëllimi ishte në secilën familje, dhe ndonjëherë, edhe krimet e luftës janë të njëjta, pavarësisht se janë dy luftëra të ndryshme”, përfundon ajo.

Përfaqësuesja e Rrjetit Ukrainas të Grave të Prekura nga Dhuna, para tetë vjetësh ishte nxjerrë nga shtëpia nga grupet ushtarake ruse, duke u akuzuar si vëzhguese e artilerisë ukrainase. Për katër ditë radhazi në qytet të Donetskut ishte rrahur, torturuar e dhunuar seksualisht.

/TV Malisheva

Share.