Teksa kanë mbetur më pak se tre javë nga afati i maxhorancës për të pasur në tryezë emrin e presidentit të ri, në rrjetet sociale dhe panele të ndryshme kanë nisur aludimet për emrat e mundshëm që mund të pasojë Ilir Metën në këtë post, shkruan TV Malisheva.

I radhës është ai i historianes Elena Kocaqi, e cila thotë se është ndeshur me disa komente që e kanë bërë pjesë të sondazheve për postin e presidentes.

Vetë Kocaqi ka reaguar në profilin e saj në Facebook, ku shkruan se deri më sot nuk është angazhuar politikisht dhe vetë politika nuk ka shfrytëzuar asnjë nga njohuritë e saj profesionale.

Ajo thotë se politika i ka hequr popullit çdo lloj të drejte për të zgjedhur presidentin e vendit dhe i ka kufizuar atij edhe të drejtën e zgjedhjes së deputetëve me votë popullore.

Reagimi i plotë

Të dashur Shqiptar,

Kam parë këto ditë në disa media sondazhet popullore për presidentin e ri. Jam shumë e nderuar që në shumicën e tyre kam kryesuar listën e vullnetit popullor, deri dhe në shifrat 70 e 90%. Ju faleminderit nga zemra për besimin dhe vlersimin tuaj.

Është nderi dhe përgjegjësia më e madhe e jetës sime, besimi juaj. Si një individ qe jam shkolluar për 30 vjet, edhe me kontributin e taksave të shqiptarëve, kam detyrimin t’i shërbej vendit tim.

Si profesore e qeverisjes prej 15 vitesh dhe duke qenë se kam mbaruar studimet shkëlqyer për Histori, Juridik dhe Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës me kohë të plot dhe duke qënë se kam dhe një doktoraturë në Marrëdhënie Ndërkombetare, do të vija gjithçka kam në dispozicion të vendit tim dhe te mirës se çdo shqiptari, pa asnjë dallim politik, fetar, krahinore apo status social.

Mirëpo deri me sot, unë nuk jam angazhuar politikisht dhe vet politika nuk ka shfrytezuar asgjë nga njohuritë e mija profesionale. Duke qënë eksperte e shtetit dhe qeverisjes, me vjen keq që deri më sot nuk më ështē afruar mundësia të bëj për vendin tim.

Nuk është se nuk dua unë tē bēj për vendin tim, por këtu çdo gjë e ka në dorē politika që i ka hequr popullit çdo lloj të drejte për zgjedhjen e presidentit si dhe i ka kufizuar atij edhe te drejtën e zgjedhjes sē deputetëve me votë popullore. Për mua nuk ka privilegj dhe pushtet më të madh sesa dashuria dhe besimi juaj. Ju dua pa kushte. Ju faleminderit

Share.