Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka dënuar me dy vjet burgim të akuzuarin, ish-ministrin e Administratës dhe Publikut Lokal Ivan Todosijeviq për shkak të veprës penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Todosijeviq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pasi që në cilësinë e ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Kosovë, ashtu që më datë 24.03.2019, në rrugën “Kral Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit te “NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi…Masakra e Reçakut ishte trillim…Janë terroristet shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi…Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-së, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës…gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Share.