Avokatja Fehmie Gashi-Bytyçi, ka thënë se kërkesa e Policisë së Kosovës për ndihmë për gjetjen e të dyshuarit për rastin në “Bon Vivant”, Dukagjin Nikolla, i kërkuar edhe nga FBI, është e vonshme.
Vrasja në këtë lokal ka ndodhur para një jave, ndërkohë që kërkesa e Policisë për ndihmë është bërë sot (e premte).
Gashi-Bytyçi, të premten në një intervistë në emisionin “60 Minuta”, ka thënë se ekziston rreziku dhe mundësia që kryesit e veprave të rënda të ikin nga Kosova.
“Është mjaft shqetësuese sidomos në rastet kur po ndodhin vrasjet e rënda, për shkak se po e kanë mundësinë edhe qasjen shumë të lehtë që të ikin nga territori i Kosovës, sidomos përmes pjesës veriore, që pavarësisht koncentrimit të madh që është atje, është mjaft e lehtë ikja për në Serbi”, ka theksuar Gashi-Bytyçi.
Ajo ka folur edhe për numrin e madh të armëve që i posedojnë qytetarët. Sipas kjo po ndodh edhe për shkak të dënimeve të ulëta për veprën penale “posedim i arëmve”. Sipas saj për posedim të armëve qytetarët dënohen vetëm me gjobë.
Gashi-Bytyçi ka theksuar se bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me qytetarët duhet të rritet, në mënyrë që kryesit e veprave penale të vihen para drejtësisë.
“Policia do të duhej të lidhej më shumë me qytetarët sepse vetë nuk mund të arrijë në secilin cep të vendit”, ka theksuar Gashi-Bytyçi.
/TV Malisheva