Pas AAK-së dhe PSD-së, edhe Lëvizja Vetëvendosje i është ka treguar nëse do t’i përgjigjen kërkesës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për ftesën që ky i fundit u bëri partive politike që ta nënshkruajnë një Pakt Kundër korrupsionit, shkruan Gazeta Blic.

PSD dhe AAK më herët kritikuan të parin e PDK-së për këtë iniciativë teksa, shtuan se nuk do ta nënshkruajnë asnjë pakt i cili vjen nga kjo parti.

Në këtë rast, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se të bësh pakt me Veselin për luftimin e korrupsionit, është pakt për legjitimin të korrupsionit të partisë së tij.

Zëdhënësi për Informim i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka tha për Gazetën Blic se prapa kësaj kërkese fshihet edhe tentativa për të harruar gjithë korrupsionin e 20 viteve të pasluftës.

“Me bë pakt me Kadri Veselin për luftimin e korrupsionit është pakt për legjitimin të korrupsionit të partisë së tij. Pra, prapa kësaj kërkese fshihet tentativa për të harruar gjithë korrupsionin e 20 viteve të pasluftës që është edhe njëri prej shkaktarëve që kemi shtet të kapur e ekonomi të pazhvilluar”, tha Manxhuka.

Ndryshe, PSD thotë se “PDK duhet të shkoj në opozitë. I ka bërë mjaft dëme vendit. Sigurisht që nuk do të nënshkruajmë asgjë qe propozohet nga PDK. Qytetarët do të vendosin me votë se kush do ti përfaqësoj.”

Se nuk do ta mbështesin këtë iniciativë të Veselit kanë thënë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Madje, nga AAK me ironi e kanë pyetur Veselin se kush e ka prurë korrupsionin në vend.

“Unë si nënkryetare e partisë ( AAK) kam vetëm një pyetje për Kadri Veselin – Kush na e solli korrupsionin në Kosovë ?”, tha shkurtimisht Teuta Haxhiu.

I pari i PDK-së, Kadri Veseli nëpërmjet një konference për medie tha se tashmë nuk është sekret që korrupsioni ka arritur nivele të larta në vendin tonë dhe po e dëmton shumë atë.

Share.