Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se sportistet nga Kosova që fituan medalje të arta në lojërat olimpike në Tokio, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, kanë kërkuar të takohen me të.

Rama ka shkruar në Facebook se Nora, Distria dhe trajneri i tyre, Toni Kuka, kërkuan të fotografohen me të. Po ashtu thotë se ekipi nga Kosova kishte dëshirë që Rama t’i publikonte fotografitë në profilin e tij.

“Dje pata kënaqësinë e posaçme të kem për vizitë dy vajzat e arta kosovare të Tokios, së bashku me trainerin e tyre fenomenal. Kërkuan të më takonin dhe u ndjeva shumë i nderuar. Biseda me vajzat e me trainerin dhe miqtë që i shoqëronin, ishte frymëzuese dhe me disa ide të bukura bashkëpunimi, që dakorduam t’i zhvillojmë së bashku. Kur kërkuan të dilnim edhe në fotografi, u thashë “Po unë jam tradhëtar, s’dua t’ju hap telashe!”. Qeshën shumë në fakt dhe i bëmë fotografitë, që kishin dëshirë edhe t’i postoja në faqen time”, ka shkruar Rama.

Ai thotë se pas publikimit të fotografisë, mori sharje e mallkime nga siç thotë ai,  ‘ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit’.

“Mirëpo, siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim. Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste. Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja. Por dy fjalë sa më shkurt për një bisedë kaq të gjatë, s’po i le pa thënë me këtë rast”, ka shkruar Rama./TV Malisheva

Share.