Edi Reja është një tifoz i Udineses në Serinë A. Këtë gjë trajneri i Kombëtares shqiptare e ka zbuluar në një prononcim për “Tuttoudinese.it”.

74-vjeçari mezi pret rifillimin e futbollit. I pyetur se a ka ndonjë lojtar shqiptar që mund t’ia rekomandonte Udineses, ai zgjodhi Rei Manajn, si një sulmues me të ardhme, që te bardhezinjtë mund të bënte vërtet mirë.

“Të luash në një stadium të zbrazët është diçka me të vërtetë anormale. Gjithsesi në këtë moment nuk ka alternativa. Ndjesitë që jep stadiumi nuk mund të përjetohen në TV. Kualifikimi me Shqipërinë do të ishte një ëndërr. Shpresoj të jem në gjendje të kthehem në punë sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresat janë se situatat mund të zhbllokohet në fillimin e qershorit” theksoi Reja.

“Flirti” me Udinesen – Ishim shumë pranë akordit, nëse do të më kishin thirrur më shpejt, unë do të kisha pranuar menjëherë. Do të doja një projekt afatgjatë. Unë jam akoma një tifoz i Udineses. Ekipi me ardhjen e Gotit është rritur. Ju mund të shihni se ekziston një ide futbolli. Në fillim të sezonit pati shumë vështirësi, nuk kishte një lojtar që mund të bënte një paraqitje të mirë.

Manaj te Udinese – Pierpaolo Marinos, shokut tim të dashur, unë do t’i rekomandoj marrjen e Rei Manajt. Një sulmues i datëlindjes ’97. Kur ai ishte tek Interi nuk ishte ende gati. Më pas zbarkoi te Albacete dhe përfundoi procesin e tij të maturimit ku me gola dhe paraqitjet e shkëlqyera, ai e bindi Barcelonën. Ai është një lojtar që në një ekip si Udinese mund të bënte vërtet mirë. Ka shumë lojtarë të tjerë të mirë, nëse Marino më pyet për këshilla unë do të doja t’i sugjeroja disa nga të rinjtë tanë të mirë”, u shpreh Reja.

Share.