Legjenda e NBA, Charles Barkley, është i bindur se sezoni 2019/20 do të rinisë, mirëpo thotë se është i shqetësuar nga rrjedha e kampionatit, pasi që beson se skuadrat të cilave u infektohet ndonjë lojtar do të duhet të tërhiqen nga gara, pa marrë parasysh a iu lëndohet ylli i skuadrës apo një rezervist.
Zëdhënësi i NBA, Mike Bass, ka bërë të ditur se liga dhe Shoqata e Basketbollistëve Profesionistë janë duke mbajtur negociata me kompaninë Walt Disney për ta gjetur një zgjidhje për rinisjen e sezonit në fund të korrikut, pasi liga u ndërpre më 11 mars, shkaku i koronavirusit.
Komisionari i NBA Silver dhe pronarët e klubeve kanë arritur marrëveshje që të gjitha ekipet të vendosen në të njëjtin kampus, ku do të zhvilloheshin edhe të gjitha stërvitjet dhe ndeshjet, në mënyrë që lojtarët të ndihen sa më të sigurt.
Megjithatë, Barkley, i cili është Hall of Famer, beson se ekipet duhet të eliminohen nga play-offs nëse u del pozitiv ndonjëri lojtar i skuadrës.
“Mendoj se gjëja që duhet ta bëjmë tani është ta gjejmë mënyrën më të mirë se si duhet të veprojmë nëse ndonjë lojtar infektohet me koronavirus”, ka thënë Barkley.
“Për mua, kjo është pjesa më e komplikuar. Ne s’mund t’i ndalim play-offs. Mendoj se skuadra duhet të tërhiqet nga garat nëse ndonjë lojtar i tyre, pa marrë parasysh se a është lojtari i tyre më i mirë apo jo, infektohet me koronavirus”.
“Ti do të duhet ta izolosh një skuadër të tërë dhe ata do të duhet të tërhiqen nga një rund i play-offs. Kjo do të thotë se ata do t’i humbasin play-offs”./Tv Malisheva