Kosova është futur në një krizë ekonomike, e cila po prodhon efekte negative në aspektin ekonomik dhe social të shoqërisë.

Derisa vendet e rajonit, Evropës dhe Botës kanë marrë masa për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve në këtë krizë financiare me inflacionin më të lartë ndonjëherë, Kosova, përkatësisht, Qeveria e Kosovës nuk po bënë një gjë të tillë.

Kështu ka vlerësuar ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili ka theksuar se është koha për veprim dhe jo vetëm arsyetim nga Qeveria.

Eksperti i ekonomisë, Gërxhaliu thekson se Kosova ka hyrë në krizë, e Qeveria nuk po e pranon si realitet.

Gërxhaliu: Kosova ka hyrë në krizë, Qeveria nuk po e pranon në realitet

“Kam drojë që një ndër pikat më kritike me të cilat po ballafaqohet ekonomia kosovare në këtë realitet të hidhur, është fakti që në një farë forme po anashkalohet termi krizë dhe nuk po pranohet si realitet që jemi në krizë. E dyta, Kosova ka hyrë nga kriza në krizë, sepse kemi pasur pandemi ekonomike dhe kur krejt kësaj i shtohet edhe kriza që e gjeneron lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, vërtet edhe më tepër është duke i rritur tensionet. Shumë vende të botës janë në panik, vet fakti që në Kosovë për muajin maj e kemi pasur një shkallë të inflacionit 12.5 përqind, është shqetësimi i parë, fuqia blerëse e euros në Kosovë ka rënë për gati 50 përqind, këtë më së miri e dinë qytetarët, të cilët me 100 euro para tre muajve nuk vlejnë sot as 60 euro. Prandaj, ky është shqetësimi i madh dhe vet fakti që shumë vende të rajonit janë duke analizuar modalitetet dhe metoda si të jenë me bizneset dhe me qytetarë, në Kosovë një gjë e tillë nuk ndodhë. Vërtet është shqetësimi shumë i madh”, thotë ai.

Gërxhaliu beson se kjo qeveri ka ekspertë të fushës, por që sipas tij, nuk po vepron për t’u përballur me krizën.

Gërxhaliu: Është koha për veprim dhe jo vetëm për arsyetim

“Kosova është futur në një krizë ekonomike e cila do të gjeneron efekte negative në të ardhmen, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin social, por edhe në poret e tjera të shoqërisë kosovare. Në rend të dytë, varrosja e dialogut me partneritetin publiko privat, është dobësia më e madhe që e ka kapluar shoqërinë kosovare… Nuk ka zgjidhje të problemit pa ballafaqim me problemin. Nuk mund të zgjidhet problemi në qoftë se tentohet të anashkalohet problemi dhe të mos pranohet si realitet. Në këtë drejtim besoj që qeveria duhet të jetë më e kujdesshme. Dua të besoj që në kabinetin qeveritar ka ekspert të fushave edhe ekonomike, edhe të asaj sociale dhe integruese, por është koha për veprim dhe jo vetëm për arsyetim”, thotë ai.

Ai shtoi se të gjithë indikatorët e kësaj krize janë shqetësues, derisa ka kritikuar edhe vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për caktimin e çmimeve limit për karburante, gjë që sipas tij, ky veprim i ekzekutivit nuk i ndihmon qytetarët e as bizneset. Ndihma më e madhe sipas Gërxhaliut, do të ishte sikur kjo qeveri do të ulte akcizën dhe TVSH-në për karburante.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Spahiu thotë se ulja e akcizës së naftës do të ndikonte në lehtësimin e jetës së qytetarëve.

Spahiu: Heqja e akcizës ka efekt drejtpërdrejt në lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe rritjes së fuqisë blerëse

“Absolutisht, akciza konsiderohet si taksë në produkte të luksit, që nafta tashmë nuk është luks, ani se kjo ekziston gjithmonë si akcizë në produktet e naftës. Gjithsesi është shumë e lehtë të hiqet për shkak se nuk ka implikime ligjore, bëhet vetëm me vendime të qeverisë, pra pa implikime të kuvendit. Është shumë lehtë e aplikueshme dhe normalisht që do të kishte efektin e drejtpërdrejt dhe shumë të shpejt në lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe rritjes së fuqisë blerëse në mënyrë indirekte”, thotë ai.

Disa vende të rajonit, Evropës dhe së fundi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ulur akciza e naftës../TV Malisheva

Share.