Dhoma e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale e ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë, të nxjerrë nga gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhepi kundër propozimit të dy bizneseve Business Club L.L.C. dhe Vitaland L.L.C..

Dy bizneset kishin propozuar vendosje të masës së sigurisë kundër vendimit të Ministrisë së Tregtisë për shfuqizimin e certifikatave të afarizmit.

Në një aktvendim të nxjerrë të enjten, Dhoma e Apelit në Gjykatën Komerciale e ka hedhur poshtë aktvendimin e shkallës së parë dhe ka vendosur për vendosje të masës së sigurisë ndaj vendimit të MINT-it.

Kësisoj, certifikatat e dy bizneseve, Business Club L.L.C. dhe Vitaland L.L.C., nuk do të shfuqizohen derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e paditësit ‘The Business Club’ L.L.C. me seli në Prishtinë, ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative, të datës 19.09.2023”, thuhet në vendimin e Dhomës së Apelit.

“Shtyhet ekzekutimi i vendimit i datës 11.09.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Verifikim, i nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK)”, thuhet në aktvendim.

Në shtator të këtij viti, në gjykim në shkallën e parë, vendimet në rastet e Business Club L.L.C. dhe Vitaland L.L.C., certifikatat e të cilave u shfuqizuan me vendim të MINT-it, i ka shqyrtuar gjyqtarja e Gjykatës Komerciale, Vlora Pacolli-Rexhepi, motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

Motra e deputetes Pacolli, në dy aktvendimet e nxjerra, ishte rreshtuar në linjë me vendimet e ministres Rozeta Hajdari. Kishte vendosur kundër propozimit të dy bizneseve Business Club L.L.C. dhe Vitaland L.L.C. për vendosje të masës së sigurisë.

Në muajin gusht të këtij viti, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ua kishte shfuqizuar licencat rreth 50 bizneseve për shkak se “gjatë regjistrimit të tyre kanë dorëzuar dokumente me përmbajtje në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe ligjet në fuqi”.

Në katër vendime të tjera – pothuajse identike – për rastet e bizneseve të cilave iu shfuqizua licenca, përfshirë edhe rastin e televizionit Klan Kosova, Gjykata Komerciale vendosi në favor të bizneseve.

Për dallim nga dy rastet e Business Club L.L.C. dhe Vitaland L.L.C., në rastet e Klan Kosovës dhe tri të tjerave, gjyqtari që shqyrtoi lëndën nuk ishte i afërm me asnjë funksionarë të partisë në pushtet.

Gjyqtari Arnis Dumani, i cili vendosi kundër mbylljes së Klan Kosovës, në vendimin e tij kishte vlerësuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit në favor të Klan Kosovës, nuk do t’i shkaktonte dëm Ministrisë së Tregtisë.

Vendimi në favor të Klan Kosovës ishte vërtetuar edhe nga Dhomat e Shkallës së Dytë në Gjykatën Komerciale.

Në një vendim të nxjerrë më 18 shtator, Dhomat e Shkallës së Dytë e kanë gjetur si të pabazuar ankesën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaj ‘Klan Kosova’ dhe kanë vërtetuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Ankesa e të paditurës MINT ishte parashtruar kundër vendimit të parë të gjykatës së shkallës së parë për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.

Ky vendim ishte marrë nga kolegji i gjyqtarëve, Ramush Bardiqi kryetar, Krenar Berisha dhe Dren Rogova anëtarë të kolegjit.

Edhe rasti i Business Club L.L.C. dhe Vitaland L.L.C., pritet së shpejti të shqyrtohet nga Dhoma e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale.

/TV Malisheva

Share.