Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se secili vend duhet të vendos vetë se si të trajtojë përfundimin se pas marrjes së vaksinës AstraZeneca, ekziston rreziku i mpiksjes së gjakut.

Kur merr një vendim, secili vend duhet të marrë parasysh situatën aktuale epidemiologjike dhe disponueshmërinë e vaksinave të tjera, njoftoi EMA, raporton Reuters.

“Ne jemi përpjekur të sigurojmë sa më shumë informacion të jetë e mundur në lidhje me përfitimet dhe rreziqet që kemi identifikuar, dhe bazuar në atë, dhe duke marrë parasysh situatën aktuale me pandeminë dhe mundësinë e prokurimit të vaksinave të tjera, shtetet mund të marrin vendime të ndryshme në lidhje me vaksinën AstraZeneca”, tha dje drejtoresha e EMA Emer Cooke.

Në këtë mënyrë, Agjencia Evropiane e Barnave ka hequr dorë nga bërja e rekomandimeve dhe shteteve do t’u duhet të vlerësojnë rreziqet e vazhdimit të përdorimit të vaksinës AstraZeneca.

Në dhjetë ditët e kaluara, disa vende kanë ndaluar përdorimin e AstraZeneca për personat nën 60 ose 55 vjeç, me pritje që vendimi përfundimtar të merret nga EMA, por tani ata duhet ta marrin atë vetë.

Duhet theksuar gjithashtu se proceset e para gjyqësore janë ngritur tashmë në Francë për shkak të vdekjes së njerëzve pas marrjes së vaksinës AstraZeneca./TV Malisheva

Share.