Kompania ajrore Emirates, është bërë kompania e parë ajrore në botë, që ka ofruar sigurim falas për COVID-19, ndërsa po mundohet të shtyjë njerëzit që të udhëtojnë sërish.
Udhëtarëve do t’u mbulohet trajtimi mjekësor, karantina në hotel dhe madje edhe funerali nëse infektohen me koronavirus derisa udhëtojnë.
Njoftimi ka ardhur ndërsa kompanitë ajrore në mbarë botën janë goditur rëndë nga masat që janë marrë për të luftuar pandeminë.
Më herët këtë muaj, kompania ka njoftuar se do të shkurtojë deri 9000 vende pune.
“Ne e dimë se njerëzit janë të etur të fluturojnë pasi kufijtë nëpër botë kanë filluar të rihapen gradualisht, por u duhet fleksibilitet dhe siguri nëse ndonjë gjë e paparashikueshme ndodh gjatë udhëtimit të tyre”, ka thënë kryetari i Emirates Group, Sheikh Ahmed bin Saeed Al Maktoum, raporton BBC.
Kompania ka thënë se oferta, që është e vlefshme për 31 ditë nga fillimi i udhëtimit të pasagjerët do të hyjë në fuqi qysh tash dhe do të zgjasë deri në fund të tetorit.
Mbulimi është falas për gjithë konsumatorët pavarësisht se në çfarë klase udhëtojnë pasagjerët apo çfarë destinacionit. Aplikohet automatikisht dhe nuk ka nevojë për regjistrim.
Kompania ajrore nga Dubai ka thënë se sigurimi do të mbulojë deri në 150 mijë euro shpenzime mjekësore.
Po ashtu do të paguajë koston e karantinës në hotel për deri dy javë me kosto nga 100 euro në ditë.
Në rast të vdekjes së pasagjerit nga COVID-19, sigurimi do të paguajë 1500 euro për kosto të funeralit./Tv Malisheva