Mirënjohje e përjetshme për gjeniun e gjuhës dhe kulturës shqipe, Prof. Eqrem Çabej
Në nderim të 112-vjetorit të lindjes dhe 40-vjetorit të ndarjes nga jeta
Ëngjëll Musai
Janë raste tejet të veçanta jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, që figura të shquara dhe dijetarë edhe pse kanë përjetuar dy sisteme të ndryshme, të jenë të pranueshëm dhe të pëlqyer nga të gjitha palët politike , qytetarët apo grupet e ndryshme shoqërore dhe etnike. Dhe kjo ndodh pikërisht me Prof. Eqerem Çabej, i cili me diturinë , mënçurinë , patriotizmin dhe atdhetarizmin, ka vaditur rrënjët e gjuhës së Kombit Shqiptar. Gjashtë gushti i 1908-s dhe 13 gushti i 1980-s, shënojnë ditët e lindjes dhe ndarjes nga jeta të Prof. Eqerem Çabejt, gjuhëtarit të madh, shkencëtarit objektiv, njeriut që jetën ia kushtoi shqipes dhe origjinës së fjalëve të saj. Respekt i përjetshëm! Por asnji nga institucionet e shtetit shqiptar dhe në veçanti Akademia e Shkencave nuk u kujtua ti bënte nderet që I takonte këtij gjeniu të gjuhës dhe kulturës shqipe. Me këtë rast Gazeta Telegraf po riboton kumtesën e Prof. Emil Lafe mbajtur në vitin 2006, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së dijetarit të shquar të gjuhës shqipe. Vdekja e parakohshme – sapo kishte mbushur 72 vjeç – i ndërpreu vijimin e veprës së tij të jetës “Studime etimologjike në fushë të shqipes” dhe të punëve të tjera që kishte nëpër duar. E. Çabej ka lënë një trashëgimi shkencore të pasur e të shumanshme me mbi 200 tituj veprash, artikujsh e tekstesh mësimore. Kontributin më të shënuar e ka dhënë në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe të marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera indoeuropiane e ballkanike. Duke iu mbajtur parimit se historia e një gjuhe është historia e popullit që e flet atë gjuhë, ai ka përfshirë gjerësisht në studimet e veta edhe kulturën materiale e shpirtërore të Shqiptarëve në shfaqjet më të larmishme të saj, kështu që në personalitetin e tij shkencor janë shkrirë në një gjuhëtari, etnologu e folkloristi dhe historiani.Vepra e tij madhore shumëvëllimëshe “Studime etimologjike në fushë të shqipes” përbën një sintezë të dijeve të tij të thella e të gjera dhe të përvojës së gjatë në gjurmimin e burimit të fjalës shqipe e të historisë së saj. Kjo vepër, që shënon një etapë të re në studimet historike për shqipen, përbën njëkohësisht një kontribut me vlerë të gjithanshme për studimin e historisë së gjuhëve të Ballkanit, për indoeuropianistikën dhe për teorinë e përgjithshme të etimologjisë