„Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva – një jetë e jashtëzakonshme, shkruan Bedri Islami.

Fehmiu, Xheva dhe familja Jashari

Përgjithësisht, ata ishin dy njerëz të cilët emocionet e forta thuajse nuk i shfaqnin kurrë dhe nuk krijonin mite. Miqtë i kishin të shtrenjtë, e kishin dëshmuar këtë gjatë gjithë jetës së tyre dhe, mbi këtë dëshmi, mund të mbështeteshe pa asnjë lloj droje. Mirëpo nuk krijonin mite, ose më saktë, nuk krijonin mite të tepërta, të cilët, më pas, ndoshta do të duhej shumë mund për t’i shkulur. Njëri nga dy mitet e tyre ishte familja Jashari. Saktësisht, ishte miti i parë i tyre, tjetri lidhej me Adem Demaçin.

Askush nuk do të mund të kishte menduar, as edhe më i guximshmi, se në ato tri kulla në Prekazin e Poshtëm, bri rrugës së vjetër, do të ngrihej një legjendë. Kishin besuar në shumëçka, pasi e gjithë ajo që ishte shkruar në treqind vite, qëkur ishin hedhur për herë të parë themelet e vatrës së parë e deri kur historia filloi të shkruhej ndryshe, ishte një shtëpi që ishte shquar për dinjitetin e veçantë. Kishte qenë gjithmonë diçka që e kishte mbajtur këtë shtëpi në sinoret e ngushta të një trashëgimtari. Një djalë do të linte pas vetes gjithnjë një djalë tjetër e më pas një nip. Brez pas brezi kështu, saqë ishte e vështirë të mos i mbaje mend brezat që kishin shkuar.

Tashti kishte ardhë radha për të trefishuar vetveten, dhe kjo do të ishte e pazakonta e parë e Fisit të Jasharëve. Kur kishte qenë vetëm një djalë nga njëri brez në tjetrin, kishin ruajtur dinjitetin e Fisit, përkatësinë e fshatit, kishin gdhendur emrin në kujtesën e njerëzve, ndërsa tash, të tre bashkë, ishin bërë gati të gdhendnin gjithçka në kujtesën e kombit. Ishte hera e parë që jeta u kishte dhuruar këtë mirësi të pazakontë për ta e të natyrshme për të tjerët; trefishimin e emrit dhe kjo nuk do të ishte thjeshtë një rastësi. Si duket, koha kishte ardhur dhe ata e kishin thirrur kohën e tyre. Adem Jashari ishte njeriu që do të bënte shndërrimin e historisë së një kombi. Nëse do të kishte qenë edhe ai fillikat, trashëgimtar i vetëm, do ta kishte pasur më vështirë, por tashmë ishin shumuar ata që mund të mbanin armët dhe ishte përndritur ideja që kishin pasur. Ata ishin nisur në këtë rrugë me mendimin e qartë, logjikën e qetë, vizionin e saktë dhe me shpresën se janë në gjendje të ndryshojnë kahun e lëvizjes së një populli. Fehmiu e adhuronte këtë gjë, e kishte pjesë të jetës së tij; i dukej sikur ishte shkulur diçka nga vetja për të zënë vend pranë tyre.

Adem Jashari ishte caku ku duhej mbërritur, ai deshi të bëhej një mjet për këtë cak; Jasharët ishin logjika e rendjes së gjërave, ai deshi të ishte pjesë e kësaj rendjeje; Adem Jashari ishte saktësia e shpirtit të popullit, ai deshi të ishte një copëz e tij; mes të dyve qëndronin shumë të përbashkëta dhe nuk kishte asnjë të ndarë. Janë në njerëzit që nuk rrinë gjatë me njëri-tjetrin, por e thërrasin në kujtesë, kur është më e domosdoshme, vizionin e tjetrit; askush nuk mund të bënte më shumë se Jasharët për kombin e tyre, ai përulej para tyre si përpara askujt tjetër. Jasharët besonin tek virtyti, ai ishte pjesë e këtij virtyti dhe njëkohësisht, pjesë e besimit të tyre. Askund nuk ngjizi më shumë ideja për të ecur drejt, pa dredha, ndershmërisht dhe deri në fund. Fehmiu dhe Xheva nuk e kishin fatin të ishin pranë njeriut që e kishin mit. E kishin mitizuar natyrshëm, sepse ishte i vetmi që i faleshin. Për ata dy njerëz që nuk e njihnin as përkuljen, ishte normale të faleshe ndaj mitit të tyre. Dy njerëz që kishin qëndruar gjithë jetën me pamjen e njerëzve që nuk e njihnin drojen, kishin një shembull që duhej ndjekur. Ai e dinte; nëse ai vetë do të ishte bjeshkë, Jasharët do të ishin vargmalet e përjetshme të kombit. Gjithnjë një bjeshkë, sado e lartë, është pjesë e një mali. Në këtë rast, ishte pjesë e një vargmali. Megjithatë, ata patën një fat tjetër; nga varmali i atyre që jetonin në Kosovë ishte shkëputur një pjesë dhe kishte zënë vend përkohësisht pranë vendit ku jetonin. Në të gjithë mërgimin e lodhshëm, kjo ishte një nga fatbardhësitë e tij. Lidhje shumë të afërta Fehmiu krijoi me familjen Jashari, e cila banonte po ashtu në Mynih.

Ai e dinte se cilët ishin ata që po luftonin në Kosovë, e njihte prej së largu pushkën e Adem Jasharit dhe gjithë jetën e tij e kishte patur dëshirën të luftonte krah tij. Fehmiu dhe Adem Jashari lidhjet e tyre i kishin vendosur përmes Ramizit, por edhe i kishin forcuar me njëri-tjetrin. Duke e respektuar në gjithë përmasat e duhura familjen Jashari, ai konsideronte gjithnjë se themeli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte fillesën e saj pikërisht në qëndresën e kësaj familjeje, në dhjetorin e vitit 1991 dhe se e ardhmja e Kosovës do të lidhej me vazhdimësinë dhe shtrirjen e luftës. Respektonte, si një vëlla të madh Rifat Jasharin dhe ai ishte njeriu që e përcolli dy herë për në luftë. – “Fehmiu fliste drejt, nuk kishte dredha”, – më tregonte Rifat Jashari. “Fjalët i kishte të pakta, mirëpo fjalë burrash. Erdhi tek unë dhe filluam. Unë atëherë thoja se do të lirohet Kosova edhe me rrugë paqësore, Fehmiu thoshte se vetëm me luftë dhe nuk kishte rrugë tjetër. Dhe luante gishtin, sikur prekte pushkën. Haj, haj, fol unë e fol ai, shkoi bukur gjatë, por ai nuk hiqte dorë nga e tija. “Pushka i qan hallet, qarja i shton hallet”, më thoshte. Unë, në fillim doja të besoja në lëvizjen paqësore, Fehmiu besonte tek pushka.

Ai kishte pasur të drejtë. Ai u bë si vëllai ynë i katërt. Dua të them diçka. Ndoshta e di e ndoshta, jo. Kur ndodhi lufta në Prekaz (ai nuk e përmend rënien e njerëzve, sepse e mban brenda vetes) nuk kam derdhur lotë. Ndërsa kur u vra Fehmiu, atëherë po. Nuk e di as vetë se si ndodhi kështu, por kështu ishte”.

(Ndërsa ai fliste, më është kujtuar Ilaz Sokoli, i ati i një martiri tjetër, i Bedri Sokolit, që ishte në ballin e demonstruesve të lëvizjeve të mëdha të nëntorit të vitit 1989. Më është kujtuar sepse edhe ai ka thënë të njëjtën gjë: – Më është dhimbur djali, por jo aq sa Fehmi Lladrovci. Më shumë më është dridhur shpirti për Fehmiun dhe Xhevën.)

Duke pasur të shenjtë këtë Familje të madhe, mes tyre ai do të kishte idhujt e tij. Ademin dhe Hamzën. Njeri i drejtpërdrejtë, siç ishte gjithëherë, ai nuk mund të heshtte kur edhe gurzit më të vegjël mund të rrokulliseshin mbi ta, lëre pastaj kur mund të ishte fjala për gurët e mëdhenj.

“Një herë, më tregon Bekim Jashari, kur ishte pa ndodh ngjarja e marsit, kishte ardhë tek na një kushëri i largët bashkë me një shok të tij. Nuk e di pse kishte ardhë, i kishte ra rruga andejpari apo kishte ndonjë hall. Ishin ba aksionet e UÇK-së dhe njerëzit flisnin për to. Mirëpo dikush edhe i kishte sha djemtë. Njeriu që kishte ardhur me kushëririn e largët, si duket kishte dëgjue vetëm me njerin vesh dhe po thotë se “hajt mor se ka gja prej këtyre punëve. E kush po mundet sot me ia kthye pushkën serbit, lojë e tyne është kjo”.

Ne ishim në shtëpinë tonë dhe nuk mund t’ia kthenim. Ishte edhe baca Fehë me Xhevën. Fehmiu duroi pak dhe iu kthye:

“A e din mor mik se në shtëpinë e kujt je? A e di se me kë po flet? Njeriu me të cilin po flet i ka dy vëllezër në UÇK. I ka dy vëllezër dhe gjithë shtëpinë e farefisin. Mati fjalët mik, se nuk e ke mirë dhe tash të dalin hesapet gabim”.

Dëshira e jetës së Fehmiut ishte të qëndronte krah Adem Jasharit. Të ishte pushkë pranë pushkës së tij, dhe ky njeri që kurrë nuk kishte vënë asgjë mbi veten veç Kosovës, tani do të vendosë edhe njeriun, që kishte vendosë t’i dalë zot asaj. Më ka takuar një herë, në shtëpinë e tij, kur ai sapo ishte kthyer nga Shqipëria, të shoh disa nga fotografitë e para të Grupit të Drenicës.

Më vonë, ato fotografi u bënë të njohura. Nuk njihja askënd, me përjashtim të Ilaz Kodrës, isha përhumbur duke i parë ata burra të armatosur dhe dëgjova zërin e Fehmiut që më thoshte: “Qe bacë, kush janë burra, këta janë ata që i dalin zot Kosovës, e sa për të tjerët, tash e shohim, koha i vërteton të gjitha”.

Share.