Presidenti i Turqisë, Tayip Erdogan, ka folur në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Erdogan ka thënë se në këtë takim janë diskutuar disa çështje.

“I them edhe një herë asaj, mirëse keni ardhur në Ankara. Vizita e zonjës presidente do të shërbejë vëllazërinë mes vendeve tona me lidhje rrënjësore historike dhe njerëzore. Gjatë takimeve ne diskutuam të gjithë aspektet e marrëdhënieve tona dypalëshe. Kemi shkëmbyer mendimet rreth zhvillimeve në Ballkan dhe Ukrainë. Ne diskutuam edhe se çka mund të bëjmë”, tha ai.

Ai tutje tha se Turqia mbështet integritetin territorial të Kosovës.

“Dihet vlera që ne i kushtojmë integritetit territorial të Kosovës. Si një nga vendet e para që ka njohur Kosovën ne i kemi mbështetur ata në çdo fushë. Ne i kushtojmë rëndësi të madhe zhvillimit të Kosovës dhe që ajo të zërë vendin e saj në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Tutje, ai përmendi edhe disa nga investimet turke në Kosovë

“Agjencia turke, “Tika” ka realizuar me sukses rreth 700 projekte. Kompanitë turke kanë investuar deri 400 milionë euro në Kosovë. Turqia mbështet dialogun Prishtinë – Beograd. Procesi duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ne jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën për paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha ai.

Ai po ashtu tha se Osmanit i ka shprehur edhe disa kërkesa për Gulenistët.

“Është e një rëndësie të madhe që t’i jepet fund ekzistencës së kësaj organizate terroriste. I shpreha homologes kërkesat time në lidhje me hapat që dëshirojmë të ndërmerren”, tha ai.

/TV Malisheva

Share.