Përfaqësuesja e Kosovës e humbi ndeshjen e fundit nga Anglia, me rezultat 4:0, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian “Euro 2020”.
Gjithsesi, Kosova ishte fituese e madhe jashtë fushës. Pritja për Kombëtaren e Anglisë ishte e jashtëzakonshme. Që nga aterrimi në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” e deri pas ndeshjes anglezët janë ndier sikurse në shtëpitë e tyre.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ndihet shumë krenar me këtë fakt, derisa ka analizuar rrugëtimin që Kosova e bëri në këto eliminatore.
Dardanët” deri në dy ndeshjet e parafundit kanë qenë në luftë me Anglinë dhe me Republikën e Çekisë për ta siguruar një “biletë” për Evropianin e vitit të ardhshëm
Sipas Salihut, barazimi me Bullgarinë në shtëpi në ndeshjen e parë kualifikuese ka qenë gabimi më i madh.
“Sa u përket rezultateve, në këto eliminatore them se determinante ka qenë humbja e pikëve ndaj Bullgarisë, ajo ndeshje ka pasur ndikim, por sigurisht edhe humbja e Anglisë ndaj Çekisë, që mendoj se nuk ka qenë reale. Pra ne edhe po të fitonim të dielën ndaj Anglisë nuk do t’i ndryshonte gjërat. Gjithsesi duhet të jemi të kënaqur me këtë që kemi treguar në këto eliminatore pasi Kosova ishte shembull i mirë për të gjithë”, ka thënë Salihu për gazetën Zëri.