I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një panel në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, tha se konkurrenca etnike në korrupsion po vazhdon në Bosnjë e Hercegovinë dhe ky sipas tij është shkaku i problemeve atje.
Njerëzit nuk largohen nga vendi sepse nuk duan të jetojnë në një shtet multietnik, por për shkak të korrupsionit, tha përfaqësuesi i qeverisë amerikane, duke theksuar se në këtë marrin pjesë shumë parti në pushtet në rajon.
Escobar tha se shumica e mosmarrëveshjeve në rajon vitet e fundit kanë të bëjnë me trajtimin dhe statusin e pakicave, qofshin kroatët në Bosnjë apo serbët në veri të Kosovës.
“Ne duhet të krijojmë një pakt të ri që do t’i bëjë pakicat të ndjehen të përfaqësuara, të vlerësuara dhe të integruara”, tha ai, raporton mediumi publik kroat, HRT.
Duke marrë shembull marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, Escobar tha se sukseset vijnë vetëm përmes unitetit të BE-së dhe SHBA-së.
Escobar ka konstatuar se, si në rastin e progresit të fundit në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të gjitha sukseset nga Dejtoni deri të shtunën e kaluar vijnë përmes unitetit të BE-së dhe SHBA-së.
/TV Malisheva