I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se ndonëse ka parë një progres në qëndrimin e Kryeministrit Kurtit lidhur me çështjen e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ishte e vështirë për qeverinë t’a pranonte si detyrim.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar ka thënë se tashmë, Qeveria e Kosovës po e konsideron çështjen e Asociacionit si ‘detyrim’.
“Para së gjithash, që të jem mjaft i drejtpërdrejtë, kemi parë një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor. Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cilia duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, ka thënë Escobar.
Se a ka një plan kohor për zbatimin në tërsi të marrëveshjes, Escobar ka thënë se pret diçka konkrete nga Qeveria e Kosovës në maj të këtij viti.
“Kur të dy udhëheqësit të takohen në maj, do të doja të shihja një projekt-plan nga qeveria e Kosovës”, ka thënë Escobar gjersa ka theksuar se “Deri tani nuk pritej ndonjë gjë, por shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”.
Lidhur me zgjedhjet në komunat në veri të vendit, Escobar ka thënë se bojkotimi i tyre nuk mbetet një zgjidhje efikase.
“Së pari, bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet. Në fushatën zgjedhore në Serbi në 2019, opozita bojkotoi zgjedhjet. Dhe ne i bëmë thirrje që të marrë pjesë. Fakti që nuk mori pjesë, ishte zgjedhja e saj (opozitës). Dhe pas zgjedhjeve, ne njohëm qeverinë që u formua prej tyre. Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, ka deklaruar Escobar.
Zgjedhjet në Veri të vendit pritet të mbahen të dielën e 23 prillit.
Se a ka mundësi që mospjesëmarrja e Listës Serbe të vonojë formimin e Asociacionit, Escobar ka thënë se pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet.
/TV Malisheva