Trajneri Pep Guardiola nuk dëshiron që të ketë lider te skuadra e tij Manchester City, dhe se nuk di si të menaxhojë lojtarë me personalitet, ka thënë ish-mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra.

Komentet e Evras vijnë pas eliminimit dramatik të Cityt në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, në të cilin ata pësuan tre gola në 11 minuta në “Santiago Bernabeu” për të humbur 6:5 në rezultat të përgjithshëm, përcjell TV Malisheva.

Skuadra e Guardiolas u këndell në mënyrën më të mirë nga kjo ndeshje, ku shkatërroi Newcastle United me rezultat të thellë 5:0, dhe tani është favoriti kryesor për ta fituar titullin e Premier Ligës.

Por, pavarësisht kësaj fitoreje, Evra mbetet i pakënaqur me stilin e menaxhimit të trajnerit të Cityt, Guardiolas.

“Manchester Cityt i duhen liderë, por Guardiola nuk dëshiron liderë. Ai nuk dëshiron personalitet. Ai është lideri. Prandaj ata janë në probleme në të cilat nuk dëshirojnë të jenë. Ata nuk e kanë askënd në fushë për t’iu ndihmuar atyre”, tha Evra.

“Ai i zgjedh skuadrat e tij në këtë mënyrë, nuk mund të stërvit lojtar me personalitet. Ai e bëri atë gjë te Barcelona, por ai e krijon ekipin e tij për të kontrolluar të gjithë. Kur gjërat nuk shkojnë sipas planit, gjithmonë është ai që bënë zgjedhjen”, shtoi ish-mbrojtësi i United.

Manchester City pritet që të hyjë furishëm nga sezoni i ardhshëm në garën për titullin e Ligës së Kampionëve, ku edhe do të jetë ndër favoritët kryesorë pas transferimit të yllit norvegjez, Erling Haaland.

Share.