Manifestimi qendror me rastin e Fitër Bajramit u organizua në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, nën kujdesin e Bashkësisë Fetare Islame (BFI).

Xhamia ishte e mbushur me qytetarë, të cilët erdhën për të falur namazin e kësaj feste, përfshirë edhe oborri i kësaj xhamie, por duke ndjekur rregullat kundër përhapjes së virusit, me maska dhe distancë.

Namazin e Fitër Bajramit e drejtoi myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, ndërsa hutben e lexoi kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu, në gjuhën shqipe dhe maqedonase.

Pas namazit të Fitër Bajramit, Fetahu në një prononcim për media u uroi festën të gjithë besimtarëve.

“Sot jemi të lumtur dhe të gëzuar sepse sot kemi rastin dhe fatin që të jemi afër njëri tjetrit, të shtrijmë dorën e pajtimit, të jemi bashkë në zemrat tona, në familjet tona dhe në jetën tonë”, u shpreh ai.

Fetahu tha se si BFI gjatë tërë Ramazanit, por edhe prej momentit të parë të COVID-19 kanë qenë të organizuar në nivelin më të lartë duke respektuar të gjitha normat që i parasheh Islami si dhe të gjitha masat që i kanë paraparë të gjitha institucionet kompetente.

Kreu i BFI-së gjithashtu falënderoi qeverinë e Maqedonisë së Veriut në emër të gjithë besimtarëve për lehtësimet që i dhanë gjatë muajit të Ramazanit dhe të Fitër Bajramit. /TV Malisheva

Share.