Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk e ka mohuar se mund të japë kontributin e tij për Kosovën në këtë moment të vështirë edhe duke pranuar një ftesë për t’u kthyer në drejtimin e vendit.

Sejdiu tha ndër të tjera se askush nuk mund ta prekë luftën e Kosovës, pasi ajo është e shenjtë.Duke komentuar situatën e krijuar mes dy presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, ai tha se nuk beson se SHBA ka qenë pas projekteve për ndarjen e Kosovës.

“Procesi Thaçi-Vuçic ka qenë shqetësim i vazhdueshëm i qytetarëve kosovarë,” tha Sejdiu.

Kjo deklaratë e Sejdiut vjen në një moment kur Presidenti aktual Hashim Thaçi dhe ish-kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, janë thirrur në gjykatën speciale në Hagë.

Gjatë intervistës , Sejdiu tha se nuk ka besuar se do ketë një koalicion të qëndrueshëm LDK-VV.

“Ujdia do të ishte afatshkurtër. Isha skeptik dhe nuk besoja te LDK,” tha ai në ‘Çim Peka Live’ .Duke folur për situatën në LDK, ai tha se “jam i vetmi themelues gjallë i LDK në strukturat drejtuese të partisë”.

Ai tha se disa prej figurave kryesore të LDK si Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani kanë qenë pjesë e kabinetit të tij.

Sejdiu akuzoi Isa Mustafën se ia ka punuar pas shpine, teksa theksoi se Mustafa nuk ka qenë themelues i LDK.

Share.