Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural po keqpërdor paratë dhe grantet të cilat janë të dedikuara për fermerët e për këtë mungojnë edhe 15 milionë euro. Të paktën kështu po thonë Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës, të cilët akuzojnë këtë dikaster për keqmenaxhim, keqpërdorim dhe shfrytëzim të kundërligjshëm të buxhetit të shtetit.
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, në një konferencë për media para kësaj ministrie, në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit”, tha se buxheti i planifikuar për fermerët po përdoret për punësime të paligjshme.
Tahiri: Për grante mungojnë diku 15 milionë euro
“Keqpërdorimi dhe vjedhja e parave të dedikuara për grantet, subvencione dhe për projekte kapitale, si dhe shfrytëzimi i buxhetit për qëllime elektorale dhe politike, buxheti i planifikuar për fermerët përdoret edhe për punësime të paligjshme, aprovohen projekte pa mbulesë, duke e futur ministrinë në obligime për vitin 2020, për grante mungojnë diku 15 milionë. Keqpërdorimi i buxhetit të dedikuar për fermerë për të ashtuquajturat vizita jashtë vendit, me të vërtetë ato janë zakonisht turistike, biznesore dhe për ‘shopping'”, tha Tahiri.
Sipas tij, është keqpërdorur edhe kredia prej 12 milionë euro e Bankës Botërore për punësime të 20 punëtorëve dhe avansime të kundërligjshme në ministri.
Tahiri tha se me këtë fermerët e Kosovës po dëmtohen shumë.
Tahiri: Me parat e vitit 2020 duhet të paguhen borxhet e vitit 2019
“Me parat e vitit 2020 duhet të paguhen borxhet e vitit 2019. Ky është dëmi i madh i cili iu shkaktohet bujqve të cilët kanë përfituar të drejtën për grante dhe ata janë hyrë në borxhe për të realizuar projektin. Kanë marrë kredi ose kanë marrë para me fajde dhe nëse atyre brenda afatit njëmujor pas aprovimit të projektit nuk u paguhen ato para ata duhet të shesin bagëtitë për të larë kredinë ose borxhin që kanë hyrë”, ka shtuar Tahiri.
Tahiri theksoi se e vetmja shpresë e bujqve është qeveria në ardhje, që të bëhen ndryshimet radikale me vendime të ligjshme, transparente dhe llogaridhënëse.